BDI: Po rrezikohet gjuha shqipe dhe MO-ja, të reagojnë SHBA-të, BE, NATO, Shqipëria dhe Kosova

17.11.2024 14:47

Bashkimi Demokratik për Integrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim, iu ka bërë thirrje SHBA-ve, NATO-s, BE-së, Shqipërisë e Kosovës që të regaojnë urgjentisht ndaj siç thonë rrezikut që i kanoset frymës dhe arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit.  

“Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një herë se ky do të jetë dëmi më i madh ndaj karakterit multietnik të shtetit tonë. Një vendim i tillë do të përfaqësonte gozhdën e fundit në arkivolin e Marrëveshjes së Ohrit dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për harmoninë ndëretnike që garanton Marrëveshja e Ohrit. BDI u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, SHBA, NATO-s dhe BE-së si garantues të MO-së, shoqërisë civile si dhe Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës që të reagojnë me urgjencë ndaj këtij rreziku që i kanoset frymës dhe arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit.  Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që vetë thelbi i marrëveshjes së paqes të vihet në rrezik. Kjo është vija që nuk duhet dhe nuk mund të kapërcehet!”, theksojnë nga BDI, duke paralajmëruar se do të përdorin të gjitha mekanizmat demokratikë dhe ndërkombëtarë për të ndaluar këtë vendim, të cilin e quajnë të rrezikshëm.

Ibrahimi: Gjatë qeverisjes së BDI-së, u shpërngulën mbi 200 mijë shqiptarë

Ndërkohë Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi u bën thirrje politikanëve në Tiranë e Prishtinë që të  mos mashtrohen, me siç thotë ai, trillimet e Ali Ahmetit. Sipas Ibrahimit, dikur politikanë si Hashim Thaçi dhe Edi Rama u mashtruan duke besuar se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ishte zyrtarizuar, por realiteti tregoi të kundërtën, pasi ajo vazhdon të trajtohet si gjuhë e pakicës.

“Tash i mashtrojnë përsëri disa politikanë të tjerë në Tiranë e Prishtinë se ‘ajo gjuha që atëherë ata e kishin zyrtarizuar’, e që doli se nuk ishte zyrtarizuar, tash qenka e rrezikuar,” thekson Ibrahimi.

Kryetari i Alternativës shtoi se pas këtyre deklaratave qëndron “pasioni për pushtet dhe frika nga drejtësia”, duke theksuar se situata e gjuhës shqipe në RMV është rezultat i neglizhencës dhe mungesës së seriozitetit nga të gjithë akterët politikë.

Kreu i Alternatives Zeqirija Ibrahimi, poashtu ka theksuar se gjatë viteve të qeverisjes së BDI-së u shpërngulën mbi 200 mijë shqiptarë.   

“Nëqoftëse u them që mbi 200.000 shqiptarë u shpërngulën gjatë viteve të qeverisjes të BDI-së i bie që asnjë pushtet tjetër përpara luftës dytë e pas luftës së dytë nuk ka arritur që të shpërngul aq shumë shqiptarë sa u shpërngulën në kohën e qeverisjes së BDI-së. Kështuqë vetëm ky element është i mjaftueshëm për të konkluduar se sa ka qenë e dëmshme dhe se sa ka qenë e rëndësishme që të shkoj BDI-ja në opozitë”. – deklaroi Kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi.

Ibrahimi poashtu e ka akuzuar BDI-në se e filloi jetën e saj me UÇK-në dhe e përfundoi me Soravinë. (Ersan Pajaziti, TVM2)