Krasniqi: Qeveria e Kosovës ti kërkojë RMV-së llogari për veteranët e UÇK-së dhe gjuhën shqipe
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi...

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në mbledhjen e së hënës me Qeverinë e Maqedonisë, ti kërkohet kësaj të fundit llogari për veteranët e UÇK-së dhe gjuhën shqipe.
Para çfarëdo mbledhjeje tjetër, Kosova duhet ta rikthejë traditën e mirë të takimeve me Shqipërinë, një praktikë e rëndësishme për unitetin dhe bashkëpunimin ndërshqiptar, e cila është ndërprerë nën qeverinë aktuale të Albin Kurtit.
Këto takime mbeten jetike për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e lidhjeve tona kulturore, ekonomike dhe politike, thekson krasniqi në një postim në facebook.
“Sa i përket takimit me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, janë së paku dy çështje kyçe që duhet të trajtohen seriozisht, e të cilat nuk janë fare në agjendë. Së pari, përndjekja dhe arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cënon raportet tona ndërshtetërore. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më. Sot, asnjë veteran i UÇK-së nuk është i sigurt të kaloj kufirin me Maqedoninë e Veriut, për shkak të rrezikut që ky shtet të zbatojë fletë-arrestet e Serbisë kundër luftëtarëve të lirisë. Së dyti, të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, duhet të mbrohen me vendosmëri. Qeveria e Kosovës, e posaçërisht politikanët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duhet të ngrisin zërin dhe të angazhohen që përdorimi i gjuhës shqipe të mos i cënohet askujt dhe askund. Çdo përpjekje për t’i cenuar këto të drejta duhet të ndalet menjëherë. Derisa këto çështje urgjente të adresohen siç duhet, pikat e tjera të agjendës rrezikojnë të mbeten nën hijen e pakënaqësive të pazgjidhura të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, thekson Krasniqi, sipas të cilit mbledhje të përbashkëta për shou politik e pa përmbajtje nuk i duhen askujt.
Siç ka bërë të ditur zëvendës Krymeisnitri i parë Izet Mexhiti, në mbledhjen e përbashkët do të nënshkruhen marrëveshje për lehtësimin e procedurave kufitare, bashkëpunimin në sferën e energjetikës, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidhë dy vendet. (Ersan Pajaziti, TVM2)
