Botë

Sulm në qendër të Bejrutit, u vra zëdhënësi i Hezbollahut

18.11.2024 11:27

Gjatë një sulmi të rrallë ajror izraelit në qendër të Bejrutit është vrarë zëdhënësi kryesor i Hezbollahut...

Gjatë një sulmi të rrallë ajror izraelit në qendër të Bejrutit është vrarë zëdhënësi kryesor i Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Vrasja e këtij zyrtari të lartë të Hezbollahut ndodhi në kohën kur zyrtarët libanezë janë duke e shqyrtuar një propozim për armëpushim, të mbështetur nga ShBA-ja. Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të lartë të Hezbollahut, përfshirë edhe udhëheqësin e grupit, Hasan Nasreallah. Nuk kishte paralajmërime nga Izraeli për evakuim para sulmit të kryer në qendër të Bejrutit, ndërkaq Izraeli ende nuk ka komentuar për këtë rast. Izraeli po ashtu më 17 nëntor ka sulmuar edhe disa ndërtesa në periferitë jugore të Bejrutit, ku Hezbollahu ka selinë.
 
Para se të kryheshin sulmet në periferi të Bejrutit, Izraeli kishte lëshuar urdhra për evakuimin e civilëve. Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Liban që nga 23 shtatori dhe më pas ka nisur edhe një ofensivë tokësore. Autoritetet libaneze kanë thënë se më shumë se 3.452 persona janë vrarë që nga tetori i vitit të kaluar dhe shumica e viktimave janë regjistruar që nga shtatori i këtij viti. Ndërkaq, Izraeli ka raportuar për 48 të vrarë gjatë luftimeve me Hezbollahun.