Maqedoni
Shënohet Dita ndërkombëtare e studentëve, shqyrtohen praktikat më të mira të studimit
18.11.2024 14:14
“Bashkëpunimi rajonal dhe organizimi studentor” ishin në fokus të debatit kushtuar ditës ndërkombëtare të studentëve 17-19 nëntor...

“Bashkëpunimi rajonal dhe organizimi studentor” ishin në fokus të debatit kushtuar ditës ndërkombëtare të studentëve 17-19 nëntor. Studentët luftojnë për të ndryshuar jo vetëm mënyrën e financimit të universiteteve, por edhe për të pasur më shumë beneficione gjatë studimeve të tyre dhe punësimit të tyre. Me ndryshimet e reja për arsim të lartë planifikohet punë fleksibile për studentët, gjë që deri më tani nuk është rregulluar në Maqedoni e që ishte një ndër shkaqet kryesore për t’u larguar ata nga vendlindja, thanë studentët.
“Si organizatë studentore, ne besojmë se arsimimi i lartë duhet të jetë falas për gjithë studentët më të mirë, siç është praktikë në rajon nëse dëshirojmë t’i mbajmë të rinjtë këtu të mos shkojnë në Evropë. Cilësia e arsimit të lartë është më e rëndësishmja, të ndryshohet koncepti i programeve të studimit. Po ballafaqohemi po ashtu edhe me mungesën e njohurive praktike, përballemi me një numër të madh universitetesh dhe çdo vit universitetet tona bien në ranglistën botërore.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit Studentor, Aleksandar Nikollovski.
“Hulumtimet e bëra të sektorit civil tregojnë se të rinjtë po braktisin vendlindjen jo vetëm për shkak të pagave të ulëta që kanë ata, por edhe për shkak të mungesës së mundësive edhe për nivelin e lartë të korrupsionit, e cila është prezent në shoqëri. Andaj vlerësojmë se duhet një zgjidhje multisektoriale, e cila duhet të punojë në çdo aspekt që të mund të zvogëlohen arsyet që i nxisin të rinjtë të braktisin vendin.”, - theksoi kryetari i Forumit Rinor Arsimor, Risto Savevski.
Kryetarja e Trupit Koordinues për Reforma në Arsim, Sollza Gërçeva, tha se po punohet në drejtim të vendosjes së rendit nëpër universitete dhe për të parandaluar ikjen e të rinjve nga vendlindja.
“Ne përpiqemi për arsim të lartë cilësor, për të parandaluar ikjen e trurit, për t’i përforcuar kriteret se kush mund të jetë profesor e kush jo në vendin tonë. Të ulim numrin e programeve të studimit, pasi që ne kemi tejkaluar pragun botëror në raport me përmasat e vendit tonë. Do të angazhohemi për t’i përmirësuar kushtet e studimit dhe të arrijmë participimin e volitshëm të studentëve, për t’u afruar atyre sa më shumë shërbime falas, si dhe t’i digjitalizojmë universitetet.”, - u shpreh kryetarja e Trupit Koordinues për Reforma në Arsim, Sollza Gërçeva.
Arsimi joformal është po ashtu një metodë efektive për zhvillim profesional të studentëve, tha drejtori i zyrës rajonale “RYCO”, e cila përmes programeve dhe ngjarjeve të ndryshme ndihmojnë në rrjetëzimin e studentëve nga rajoni dhe bota, ku përmes takimeve ata shkëmbejnë përvoja të ndryshme.
“Ne jemi këtu për t’u ofruar mundësi të shumta dhe konsiderojmë se këto ngjarje dhe organizime janë shumë të rëndësishme, sepse studentët mësojnë përmes tyre dhe pasi që ata kthehen në shtëpitë e tyre, japin shembuj të mirë që ne po mbështesim për t’i implementuar njohuritë e tyre në praktikë.”, - theksoi drejtori i “RYCO”, Vladimir Gjorgjevski.
Dita ndërkombëtare e studentëve shënohet si një datë e rëndësishme për studentët pasi më 17 nëntor të vitit 1939 forcat naziste ndërhynë në Universitetin e Pragës, pas demonstratave studentore kundër pushtimit të Çekosllovakisë dhe ekzekutuan pa gjyq të nëntë udhëheqësit e demonstratave studentore.
REXHEP QAMILI
