Botë

Bien temperaturat, rritet ndotja

18.11.2024 14:39

Vendi ynë ka vite që nuk ka mundësi të gjejë zgjidhje për sa i përket ndotjes së ajrit...

Vendi ynë ka vite që nuk ka mundësi të gjejë zgjidhje për sa i përket ndotjes së ajrit, e në disa raste Shkupi është radhitur edhe në top 5 qytetet në botë për nga ajri i ndotur. Këto ndotje po manifestohen veçanërisht kur po bien temperaturat, ndërsa këto të fundit priten që të ulen dukshëm nga fundi i javës, bëjnë të dikur sinoptikët. 
 
“Gjatë ditëve të ardhshme deri të shtunën do të ballafaqohemi me një stuhi të motit të lagësht dhe moti do të jetë i ndryshueshëm, me të reshura sporadike dhe intensitet të ndryshuar, ndërsa në pikat malore do të kalojnë edhe në të reshura të borës. Ndërsa, nga e premtja temperaturat do të lëvizin, ku ajo e ulëta pritet të arrijë deri më 2 gradë Celsius.”, - thonë nga Qendra e Sinoptikanëve.
 
Ndotja e ajrit ngërthen në vete edhe grimcat PM 10, të cilat janë shumë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Zona me nivele të larta ndotjeje ndikon në të gjitha shtresat e njerëzimit, por më shumë e pësojnë foshnjat, gratë shtatzëna dhe të sëmurit kronikë. 
 
Moti edhe gjatë kësaj jave do të jetë i ndryshueshëm dhe në fund të javës na pret mot i ftohtë dhe kjo rrit mundësitë për rritjen e sasisë së ndotjes së ajrit. Organet kompetente çdoherë kanë bërë të ditur se masat të cilat i kanë ndërmarrë Qeveria dhe institucionet tjera, do të bëjnë që ndotja të ulet, por në vazhdimësi në vendin tonë kemi ajër të ndotur. Nga ana tjetër, organet shëndetësore apelojnë që qytetarët të mos dalin jashtë, posaçërisht në ato ditë kur do të vërehet se ajri është më i ndotur.
 
“Ndotja e ajrit ndikon edhe tek personat e shëndoshë edhe tek ato të sëmurë, prandaj rekomandohet, që nëse munden të mos dalin nga shtëpitë e tyre pa nevojë, ndërsa maskat në fytyrë mund të ndihmojnë për grimcat më të mëdha, por jo edhe grimcat më të vogla. Ajri i ndotur dëmton sistemin respirator, prandaj nuk rekomandohet që të vendosin maska edhe të ecin sa të duan, por edhe sikur të kenë dëshirë të ecin, vet ajri do t’u tregojë se nuk mund të lëvizin gjatë.”, - deklaroi drejtori në Institutin për Tuberkuloz, Dimitar Kakinski.
 
Ndërsa të dhënat zyrtare flasin se ndotja akoma është e lartë dhe matësit kanë treguar se ndotja ishte shumë më e lartë sesa që është e lejuar. Edhe prania e grimcave PM 10 ishte e lartë, kështu që matësit kanë treguar se ndotje e lartë është shënuar në Strumicë, Shkup, Tetovë, Kërçovë dhe Manastir. 
 
FITIM KRYEZIU