Maqedoni
Seanca e përbashkët qeveritare, Ahmeti kërkon që të shqyrtohen nismat
18.11.2024 14:57
Para mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, atë të Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut...

Para mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, atë të Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryetari i opozitës shqiptare, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, por edhe partive politike, që të mos i heshtin shqetësimet e shqiptarëve të RMV-së, por t’i diskutojnë ato me kryeministrin, Hristijan Mickoski. Për KosovaPress, kreu i BDI-së ka shprehur shqetësim edhe për mosrespektim të Marrëveshjes së Ohrit, pas iniciativave për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Në Maqedoni të Veriut zhvillimet politike nuk premtojnë ndonjë perspektivë të qëndrueshme, sepse kanë ardhur disa iniciativa për ndryshimin e Ligjit të gjuhës shqipe, që kjo iniciativë ma kujton vitin 1989 kur Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës, që nuk është mirë as për komunitetin maqedonas dhe shqiptarët, sepse preket substanca, palca e Marrëveshjes paqësore të Ohrit me ndryshimet që pretendohet t’i bëjnë mbi ligjin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Taravari: Ahmeti mbjell tension dhe ankth
Ndërkohë Arben Taravari, njëri nga krerët e koalicionit VLEN, në një intervistë për Albanian Post, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës shqiptare ka deklaruar se “Gjuha shqipe nuk preket", ndërsa ka akuzuar Ali Ahmetin për mbjellje tensioni dhe ankth të sajuar.
"Më vjen keq që opozita e z. Ahmetit është katandisur në një gjendje paniku të vazhdueshëm. Krejt çuditshëm, por jo edhe papritur, ai është duke mbjellë tension dhe ankth të sajuar. Dërgon letra të mbushura me shqetësime imagjinare, trillon dhe sajon kinse Maqedonia po rrezikon stabilitetin e nuk e di çmos! Latinët e quajnë “Panem et Circenses”, “Bukë dhe Cirk”, është një shprehje që i dedikohet politikanëve që duan të zhvendosin vëmendjen e popullit diku tjetër. Kështu edhe z.Ahmeti duke ditur se çfarë ka bërë dhe sa keq i ka bërë shumë punë, shpik e sajon që të harrohen punët e tij. Ai dhe cilido i shqetësuar për gjuhën shqiptare të jetë i qetë, sepse askush nuk mund ta cenojë atë. VLEN-i është garanci se gjuha shqipe nuk preket!”, - theksoi Arben Taravari nga VLEN.
Sa i përket akuzave të opozitës për qasjen antishqiptare në Qeveri, Taravari tha se nëse BDI-ja do të vazhdojë më këto akuza, do të shkojë drejt një eliminimi total nga fusha politike.
FLORIJE KAMBERI
