Maqedoni
Prishtinë, mbahet seanca e përbashkët qeveritare
18.11.2024 16:05
Këshilli i ministrave i kryesuar nga kryeministri, Hristijan Mickoski, ka udhëtuar për në Prishtinë...

Këshilli i ministrave i kryesuar nga kryeministri, Hristijan Mickoski, ka udhëtuar për në Prishtinë, ku kanë zhvilluar seancë të përbashkët me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Veç seancës janë zhvilluar edhe takime tet a tet, ndërkaq janë nënshkruar edhe disa protokolle dhe marrëveshje për bashkëpunim në fushën e energjetikës, pika të përbashkëta kufitare dhe në fushën e arsimit.
“Duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje, i cili nuk bën as përjashtime, as diskriminim dhe i cili e respekton shumë gjuhësinë që ekziston në Maqedoninë e Veriut, ku nuk e flasin e gjithë popullsia të njëjtën gjuhë. Ju e dini që në Kosovë në republikën tonë, ndonëse shqiptarë janë rreth 93%, 4% i kemi serbë edhe serbishtja është gjuhë zyrtare, por në Maqedoninë e Veriut nuk mund të thuhet që na paska qenë shqipja gjuhë zyrtare, e tash po rrezikohet, sepse kjo nuk është e vërtetë. Ne dëshirojmë marrëdhënie shumë të mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut dhe për këtë do të bashkëpunojmë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Nga gjykatësi i parë e deri tek i fundit janë zgjedhur në Parlament kur shumicë ishin LSDM-ja dhe BDI-ja. Pse çështja po aktualizohet tani? Themi se të gjithë politikanët e së kaluarës që janë hije të zeza të së kaluarës, të cilët kartën e vetme mbi të cilën vunë themelet e politikbërjes së tyre ishin krimi dhe korrupsioni dhe konfliktet etnike. Ne themi se do ta heqim këtë mjegull dhe do të shohim qartë në të ardhmen, reformat, rikonstruimin e shteteve tona, luftimin e krimit. Sa i përket mosardhjes së ministrit Stoilkoviq, po ju them se ai kishte dëshirë të flaktë të vijë në Prishtinë, por meqë zhvendosëm seancën qeveritare nga e premtja për sot, ai nuk do të vinte shkaqe të arsyeshme.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
“Ne jemi garancë që gjuha shqipe do të avancojë në RMV, ashtu siç gjetëm zgjidhje dhe është formuar grupi i ekspertëve nga partnerët në Qeveri, të cilët po punojnë që balancuesi, i cili ka qenë vetëm një mekanizëm, tani të marrë përmasat e zgjidhjes ligjore apo ligj i veçantë për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në Maqedoni.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
SANIJE DURAKU
