Samiti i G20-shit, Guterres: T’u bëjmë ballë sfidave globale

18.11.2024 16:25

Luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë....

Luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, ndryshimet klimatike, tranzicioni i energjisë, sfidat me varfërinë do të trajtohen në tavolinën e samitit të vendeve G20 më 18 dhe 19 nëntor.

Krizat janë të përmasave ndërkombëtare dhe kërkojnë zgjidhje, tha sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili tejkalimin e krizave e sheh tek një zgjidhje e sjellë nga lidershipi botëror.

Duke theksuar urgjencën që kombet të përshpejtojnë përpjekjet në adresimin e sfidave të përbashkëta kritike, ai bëri thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për të arritur paqen në Gazë, Liban, Ukrainë dhe Sudan.

“Kohët janë të vështira dhe duhet të vrapojmë me shpejtësi, që të ballafaqohemi me sfidat e përbashkëta. Kërcënimet me të cilat ndeshemi sot, janë ndërkombëtare dhe të lidhura mas veti, ndërkaq institucioneve globale që merren me zgjidhjen e problemeve u duhet përforcim.”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

E derisa bota po merret me turbullirat gjeopolitike është harruar lufta me ndryshimet klimatike, që njëherit është lënë hije, thekson Guterres, derisa u bën thirrje vendeve të G20-shit të merren me këtë çështje.

Gjasat janë për të ndodhur katastrofa të mëdha, nëse nuk merren masa preventive, paralajmëroi sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

“Politikat aktuale klimatike të vendeve po na shtyjnë drejt një rritjeje katastrofale të temperaturës prej 3.1 gradë deri në fund të shekullit. Për ta shmangur katastrofën më të keqe të klimës në të ardhmen,  ne duhet ta kufizojmë rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius.”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Menaxhimi i inteligjencës artificiale dhe lufta kundër dezinformatave gjithashtu ishte temë e samitit, ku pos anëtarëve të G20-shit merr pjesë edhe BE-ja dhe Unioni Afrikan me përfaqësuesit e tyre. G20-shi përfaqëson rreth 85% të PBB-së botërore, më shumë se 75% të tregtisë botërore dhe rreth dy të tretat e popullsisë së botës. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)