Borrell: Evropa të ushtrojë presion mbi Izraelin

18.11.2024 17:00

Evropa duhet të ushtrojë më shumë presion....

Evropa duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Izraelin që të ndalojë luftën në Lindjen e Mesme, ndërsa produktet izraelite të prodhuara në territoret e pushtuara palestineze, duhet të bojkotohen, tha shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Xhosef Borrell, në takimin e Këshillit të Jashtëm të BE-së në Bruksel. Duke nënvizuar gjendjen e civilëve në Gazë, Borrelli tha se "70% e viktimave janë gra ose fëmijë.”.

"Unë do t'u paraqes kolegëve një propozim, se cilat janë vendimet që mund të merren. Nga pikëpamja e të drejtave njerëzore, si dhe cilat masa mund të merren për të qenë të sigurt. Do të kërkoj mos të bëhet tregti me produktet izraelite të prodhuara në territoret e okupuara dhe kjo kërkesë është sipas rregullave të GjND-së. Kjo duhet bërë, sepse Gaza shkatërrohet. Nga numri i përgjithshëm i viktimave, 70% janë gra ose fëmijë dhe nëse i hedhim një sy moshave, moshat më të shpeshta të viktimave janë fëmijët nën nëntë vjeç.”, - deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së, Xhosef Borrell.

Bearbok: Ligji ndërkombëtar vihet në pikëpyetje

Popullsia në Gazë nuk vdes vetëm nga bombardimet, por edhe nga uria, sepse Izraeli i bllokon ndihmat humanitare. Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Bearbok, tha se përballë kësaj situate, ligji ndërkombëtar vihet në pikëpyetje.

“Situata atje është dramatike. Vuajtjet e njerëzve, veçanërisht të fëmijëve në Gazë, vështirë se mund të shprehen me fjalë. Nuk ka justifikime që ndihmat humanitare nuk mund të merren. E kam theksuar qartë këtë dhe përsëri e them, në Gazë ka kufizime, duke përfshirë ndihmën humanitare. Në lidhje me Gazën, ligji ndërkombëtar po vihet në pikëpyetje, atëherë kjo natyrisht ka pasoja edhe në lidhje me pozicionin e Evropës.”, - theksoi ministrja e Jashtme gjermane, Analena Barbok.

Guteres: Duhet të reformohen institucionet

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duke theksuar natyrën e ndërlidhur të sfidave të sotme, kërkoi reforma në institucionet ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe bëri thirrje për veprim urgjent në fjalimin e tij përpara Samitit të G20 në Rio de Zhaneiro.

“Kërcënimet me të cilat përballemi janë të ndërlidhura edhe ndërkombëtare. Institucionet globale për zgjidhjen e problemeve kanë nevojë dëshprimisht për një përmirësim, por duhen reforma – jo më pak Këshilli i Sigurimit, i cili pasqyron botën e 80 viteve më parë. Unë kam ardhur në Rio me një mesazh të thjeshtë: udhëheqësit e G20 duhet të udhëheqin. Vendet e G20 – sipas definicionit – kanë një ndikim të jashtëzakonshëm ekonomik. Ata kanë ndikim të madh diplomatik. Ata duhet ta përdorin atë për të trajtuar problemet kryesore globale, sidomos luftërat.”, - u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Guterres vazhdimisht ka qenë kritik për shkeljen e parimeve të luftës nga ana e Izraelit në Gazë dhe për këtë arsye, ministri i Jashtëm i Izraelit ia ka ndaluar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara hyrjen në Izrael dhe e ka shpallur person Non-Grata. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)