Neziri: Mbetemi në vendimin për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike
Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë mbeten në vendimin për shtyrjen e liberalizimit të tërësishëm të tregut të energjisë elektrike në Maqedoni...

Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë mbeten në vendimin për shtyrjen e liberalizimit të tërësishëm të tregut të energjisë elektrike në Maqedoni konfirmoi sot ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
"Nuk jemi për liberalizim absolut të tregut të energjisë elektrike në Maqedoni, pasi kjo do të sillte deri në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë. Jemi dëshmitar se edhe çmimi i tanishëm i energjisë elektrike është i lartë për qytetarët dhe për këtë mbetemi në afatet për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike prej 18 muajve. Veçmë është formuar ekip në Ministrinë e Ekonomisë dhe në vazhdimësi bëjmë analiza se si janë efektet nga prolongimi dhe tani besojmë se vendimin që e morëm e mbështesin edhe qytetarët", deklaroi Neziri.
Në pajtim me ligjin dhe marrëveshjet që janë nënshkruar me Bashkësinë energjetike të Evropës (BE), theksoi ai, veçmë iu përgjigjëm letrës së BE-së, me të cilën kërkohet në afat prej dy muajve të vazhdojë liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në vend. Ai theksoi se Maqedonia momentalisht ka treg më të liberalizuar të energjisë elektrike në rajon.
"Në vendin tonë, 40 për qind nga tregu i energjisë elektrike është i liberalizuar. Në Ballkan asnjë vend nuk ka liberalizuar mbi 10 për qind nga tregu i saj, diku aspak nuk është i liberalizuar", theksoi Neziri.
