Botë
Ukraina shënon 1.000 ditë luftime
19.11.2024 12:05
1 mijë ditë më parë, Rusia nisi sulmin e zgjeruar ndaj Ukrainës...

1 mijë ditë më parë, Rusia nisi sulmin e zgjeruar ndaj Ukrainës. Pas avancimeve të shpejta të ushtrisë ruse, mbrojtësit ukrainas ia dolën, që ta sprapsin sulmuesin kryesisht në kufirin verior. Edhe në jug Ukraina e zhvendosi ushtrinë ruse pas Dnjipros, që është lumi më i madh i vendit.
Me më shumë se 10 milionë të dëbuar, lufta në Ukrainë, sipas të dhënave të UNHCR-së, ka shkaktuar krizën më të madhe të dëbimeve në mbarë botën. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 40 për qind e popullsisë është e varur nga ndihma humanitare. Për të mbuluar nevojat themelore të këtyre njerëzve, UNOCHA-s dhe UNHCR-së i nevojiten ndihma në vlerën rreth 4 miliardë euro. BE-ja dhe NATO-ja mbështesin Ukrainën, jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Rusisë agresore, por Kievi merr edhe ndihma financiare dhe humanitare. Kontributin më të madh e ka dhënë ShBA-ja.
Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022 dhe fundi i gushtit 2024, ShBA-ja ka vënë në dispozicion gati 85 miliardë euro, sipas vlerësimeve të Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore. Ndihmat e BE-së, si dhe të vendeve anëtare brenda kësaj periudhe kohore kanë qenë mbi 100 miliardë euro. Po ashtu Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja janë ndër vendet më të mëdha donatore. Presidenti i ri i zgjedhur i ShBA-së, Donald Tramp, në fushatën elektorale ka deklaruar, se do të pakësojë dukshëm ndihmat për Ukrainën. Ukraina mund ta ketë një shans për të luftuar kundër Rusisë vetëm nëse vendet e tjera donatore do t’i shtojnë ndihmat e tyre.
