Maqedoni
Nga ky muaj, punëtorët shëndetësorë do të kenë paga më të larta
19.11.2024 14:05
Është arritur një marrëveshje mes Qeverisë dhe sindikatave shëndetësore, që punëtorët shëndetësorë do të kenë rritje të pagave prej 40 deri në 50 për qind..

Është arritur një marrëveshje mes Qeverisë dhe sindikatave shëndetësore, që punëtorët shëndetësorë do të kenë rritje të pagave prej 40 deri në 50 për qind në katër vitet e ardhshme, ndërsa nga muaji nëntor rritja do të jetë me 10 për qind, njoftoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
“Ne realisht arritëm një marrëveshje që ka një dimension historik, përveç këtyre koeficienteve për të cilët folëm tani, që do të nënkuptonte rritje prej 10 për qind të shumës së parave të ndara për paga. Vitin e ardhshëm në mars do të kemi një rritje shtesë prej 5 për qind të shumës së ndarë për pagat për punëtorët shëndetësorë, vitin e ardhshëm, në vitin 2026, nga 5 në 7 për qind, varësisht nga gjendja e buxhetit, të shpresojmë që ai të jetë në gjendje vërtet të mirë dhe ne jemi duke punuar për këtë. E njëjta rritje nga 5 në 7 për qind e ofertës monetare do të jetë në vitin 2027 dhe nga 7 në 10 për qind në vitin 2028.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Sindikatat e pavarura shëndetësore shprehen të kënaqur për rritjen e pagave të punonjësve shëndetësorë.
“Bëhet fjalë për korrigjimin e koeficientit, që d.m.th. pagë më të lartë për të gjithë të punësuarit në shumën bruto rreth 3.650 denarë dhe rreth 2.450 denarë në shumën neto. Përfitim më i mirë në pjesën e këtij aneksi është korrigjimi i pagave për infermieret me arsimin e mesëm dhe personeli tjetër shëndetësor, që d.m.th. 5.700 denarë në shumën bruto dhe 3.850 denarë në shumën neto.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së Pavarur Shëndetësore, Lubisha Karanfillovski.
“Rritja e pagave sipas marrëveshjes do të thotë mbështetje për të gjithë që janë të kyçur në sistemin shëndetësor. Kjo nuk është vetëm njohje financiare, por edhe motivim për përkushtim më të madh për punën tonë të përditshme.”, - u shpreh kryetari i Sindikatës së Pavarur të Klinikave, Predrag Serafimovski.
“Kjo që ka ndodhur sot është një nga rritjet më të mëdha në histori të sektorit shëndetësor. Deri më tani rritjet kanë qenë nga 1 mijë deri në 1.200 denarë dhe kjo rritje do të kujtohet si rritje historike për të gjithë punonjësit në sektorin e shëndetësisë.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve Shëndetësorë, Bobi Bojçeski.
Kryeministri Mickoski po ashtu paralajmëroi reformat në vet sistemin shëndetësor, në mënyrë që qytetarët të marrin atë që meritojnë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
