Amendamentet për propozim-buxhetin 2025 përplasin pushtetin me opozitën

19.11.2024 14:43

Në Komisionin Kuvendor për Financim dhe Buxhet...

Në Komisionin Kuvendor për Financim dhe Buxhet filloi shqyrtimi i amendamenteve për buxhetin e vitit 2025, pasi që të hënën përfundoi debati i përgjithshëm.

Për buxhetin janë dorëzuar gjithsej 307 amendamente, prej të cilave 204 nga LSDM-ja dhe 57 nga Fronti Evropian.

LSDM-ja në mesin e tyre kërkon nga pushteti që në propozim-buxhetin e vitit 2025 të parashihen mjete për rritjen e pagës minimale dhe të të punësuarëve në sektorin publik.

Akuzon VMRO-DPMNE-në se parashikon mjete për partizim të administratës, por jo dhe për rritje të pagës së punëtorëve në përgjithësi.

VMRO-DPMNE-ja hedh poshtë këto akuza, duke thënë se buxheti parashikon rritje të pagave, rritje të transfereve tjera sociale, realizim të investimeve kapitale dhe mbështetje të ekonomisë.

“Ky propozim-buxhet, si dhe të gjitha aktivitet tjera të Qeverisë tregojnë qartë se me cilat politika do të hapërojë kjo Qeveri, huamarrje dhe deficit më të madh, shpenzime të rritura për blerjen e mobileve dhe automjeteve. Nëse dikur LSDM-ja në fokus kishte ekonominë, para së gjithash rritjen e pagave tani më kjo Qeveri nuk është shembull. Propozim-buxheti i dorëzuar nuk përkujdeset për punëtorët dhe nuk do t’i respektojë marrëveshjet kolektive dhe nuk do të ketë rritje të pagës minimale.”, - deklaroi Daniela Nikollova nga LSDM.

“E nderuar kolege, më lejoni që t’ju informoj se siç kishte rritje të pensioneve, do të ketë edhe rritje të pagës minimale dhe për këtë të jeni të bindur. Mirëpo më  habit fakti, që ju i latë pa paga mijëra të punësuar nëpër ndërmarrjet publike dhe tani dilni përmes amendamenteve dhe kërkoni të përmirësohet rroga në vend.”, - theksoi përfaqësuesi nga VMRO-DPMNE.

“Përmes këtyre amendamenteve kërkojmë 57 milionë euro, 40.6 milionë euro për pagat bazë, 17 milionë euro për kontributet për sigurimet sociale, për rritjen e pagave në sektorin publik, e jo vetëm në disa sektorë të caktuar. Këto janë kërkesa për përgjegjësi sociale.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.

“Deri në fund të vitit do të ketë rritje të pagës prej 10 për qind për të punësuarit shëndetësorë, të punësuarit arsimorë, ata në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe shumë të punësuar nëpër sektorë të tjerë, ndërsa do të respektohet në tërësi edhe marrëveshja kolektive.”, - deklaroi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

Debati për buxhetin e vitit të ardhshëm në komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet do të zgjasë 10 ditë, respektivisht duhet të përfundojë deri më 30 nëntor dhe më pas vazhdon në seancë plenare.

Edhe në ditën e pestë të këtij debati nuk munguan ofendimet të ndërsjella mes deputetëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, duke e elaboruar të kaluarën.

Buxheti i vitit 2025 pritet të jetë në vlerë prej 5.8 miliardë euro, respektivisht është 12 për qind më shumë se buxheti i këtij viti. Shpenzimet parashikohen të arrijnë në 6.5 miliardë euro, deficiti buxhetor planifikohet të jetë 4 për qind, ndërsa inflacioni 2.2 për qind. (Rexhep Qamili, TVM2)