Komisioni për demografi dhe rini, tensione për propozim-ligjin e “branitellave”

19.11.2024 15:25

Ligji për “branitellat” sërish ka shkaktuar tensione...

Ligji për “branitellat” sërish ka shkaktuar tensione dhe mosmarrëveshje në Komisionin për politikë sociale, demografi dhe rini. Deputetë të LSDM-së sërish tentuan të fusin në rend dite Ligjin për “branitellat”, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për plotësim dhe ndryshim të ligjit nga viti 2002.

“Ka një nen të Rregullores, i cili thotë se kur një deputet do të dorëzojë propozim për plotësimin e rendit të ditës pa diskutim, sipas nenit 83 nga Rregullorja, ju jeni të obliguar ta lini atë në sqarim, gjegjësisht votim. Ky ligj nuk është asgjë nga ajo që ju mundoheni ta paraqitni, se është ngritje e tensioneve, etj. Për hir të së vërtetës ekzistojnë informata publike që tregojnë se ky propozim-ligj është për plotësim dhe ndryshim, nuk është ligj i ri. Rregullon të drejtën që ky Kuvend në përbërje tjetër në vitin 2002 ka miratuar këtë ligj.”, - deklaroi Sllavjanka Petrovska nga LSDM.

Kryetarja e Komisionit, Ilire Dauti, e refuzoi sërish duke u mbështetur në Rregulloren për punën e Kuvendit, por edhe në parimin e barazisë së qytetarëve. Në të njëjtën vijë ishte edhe deputetja e VLEN, Imërlije Saliu.

“Një ligj i tillë në formën siç e keni propozuar ju, shkruani diku që ta mbani mend,përmes meje nuk kalon. E kuptoni pra, nuk kalon. Sepse nëse në një kohë është bërë një lëshim i tillë, nuk nënkupton se duhet të vazhdojmë me lëshime të tilla. Më thoni se duhet të rirregullohen të drejtat e një kategorie qytetarësh të vendit tonë, në ndërkohë që ende nuk është rregulluar për pjesën tjetër që kanë qenë pjesë e konfliktit të armatosur, që rezultoi me luftë në vitin 2001.”, - theksoi kryetarja e Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini, Ilire Dauti.

“Ju duhet ta keni të qartë tashmë që përballeni me një gjeneratë të re politikanësh shqiptarë, të cilët nuk janë ata të vitit 2001, që e lejuan një ligj të tillë pa përfshirjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Nuk jemi shqiptarët e vitit 2003 dhe 2004, ku i bëtë ndryshimet dhe ky ligj nuk do të kalojë as edhe kësaj radhe.”, -  u shpreh Imërlije Saliu nga VLEN-i.

Propozim-ligji për “branitellat” dhe familjet e tyre parashikon rritje të vlerës së kompensimit në bazë të shkallës së invaliditetit nga 1.200 euro maksimumi si vlerë mujorë, në 82 mijë euro nëse shkalla e invaliditetit është 100 për qind si kompensim të njëhershëm.

Propozimi parashikon ndihmë të njëhershme, varësisht shkallës së invaliditetit dhe në të përfshin forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024. (Florije Kamberi, TVM2)