Maqedoni

Raund i ri bisedimesh me bankat, Mickoski: Mundohemi, që të sigurojmë kushte më të mira

19.11.2024 15:42

Java kalon, por bankat ende nuk kanë dhënë përgjigje, nëse pajtohen me të gjitha kushtet...

Java kalon, por bankat ende nuk kanë dhënë përgjigje, nëse pajtohen me të gjitha kushtet, që u ka vendosur Qeveria në lidhje me vendosjet e kredisë hungareze për kompanitë vendase. Qeveria do të ketë raund të ri bisedimesh, por jo në takim të përbashkët, por përmes takimeve individuale me secilën nga bankat, Ministria e Financave do të mundohet t'i bindë të heqin dorë nga disa provizione dhe kostot e mëdha, në mënyrë që bizneset të marrin kredi më të lira. Kryeministri Mickoski njoftoi se Ministria e Financave në një takim të veçantë do të konsultohet edhe me Bankën Popullore. 

“Jemi duke analizuar dy skenarë. Ministria e Financave gjatë kësaj jave do të ketë takime individuale me disa prej bankierëve, përfshirë Bankën Qendrore, guvernatoren. Pres që fundi i kësaj jave dhe fillimi i javës së ardhshme të dalin me një qëndrim përfundimtar dhe të fillojmë këtë punë. Përndryshe, po, ne mundohemi që kompanitë të kenë të njëjtat kushte historikisht më të ulëta që mund të gjenden kudo në botë në këtë moment.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Megjithatë, Banka Qendrore thotë se ata nuk janë të  përfshirë në procesin e negociatave që bankat i kanë me subjekte apo institucione të tjera, përfshirë negociatat që Qeveria ka aktualisht me bankat në lidhje me kushtet.
 
“Si në çdo rast tjetër, shuma e normave të interesit dhe kostot e tjera që lidhen me vetë kreditë, afatet dhe kushtet e tjera rregullohen me aktet e brendshme të bankave dhe janë çështje marrëveshjeje ndërmjet subjekteve të përfshira në marrëveshjen e kredisë.”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.
 
Edhe sektori privat pret që Qeveria sa më shpejt që është e mundur të dakordojë kushtet për kredinë hungareze me bankat komerciale. Kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angeloski, kërkon që ekonomisë vendase t’i jepet mbështetje, pasi dihet se bankat kujdesen dhe mbrojnë interesat e tyre, por Qeveria duhet të shikojë pak më gjerë dhe të përfaqësojë interesin publik.
 
“Duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët se si të përfundojmë të gjithë punën. Sektori privat pret të marrë mjetet nga kredia hungareze përmes Bankës për Zhvillim dhe Bankave Komerciale. Do të jetë një stimul për investime të mëtejshme, zhvillim, vende të reja pune dhe krijimin e vlerave të reja të shtuara.”, - theksoi kryetari i LOE-së, Trajan Angelovski. 
 
Nga gjithsej 500 milionë euro, sa është kredia hungareze e Qeverisë, gjysma do të përdoret për projekte infrastrukturore të komunave, ndërsa 250 milionë euro të tjera do të ndahen për kredi për kompanitë. Mjetet do të vendosen përmes Bankës së Investimeve të Maqedonisë, ndërsa kompanitë do të aplikojnë në bankat komerciale për shfrytëzimin e tyre.
 
SANIJE DURAKU