Gjuha shqipe, BDI: Deklarata e Kurtit, e papranueshme

19.11.2024 15:45

BDI-ja kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti...

BDI-ja kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa i përket statusit të gjuhës shqipe në vend. Integristët përgënjeshtrojnë deklaratën e Kurtit se gjuha shqipe deri më tani nuk ka qenë zyrtare.

Sipas tyre,  Ligji për përdorimin e gjuhëve, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve.

“Është për keqardhje që kryeministri i Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativet që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sugjerimet se disa nene të ligjit edhe ashtu nuk janë zbatuar dhe se rishikimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i pranueshëm i japin alibi përpjekjeve për të dobësuar këtë legjislacion vital.”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Përmbajtjen e plotë të Ligjit ia kanë shpërndarë politikbërjes në Kosovë. Nënvizojnë se neni 1 paragrafi 2 i ligjit thekson se: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.”.

Fetai: Angazhohemi për zyrtarizimin e shqipes

Por, sipas zëvendëskryeministrit, Arben Fetai, kryeministri i Kosovës ka thënë një të vërtetë, për disa e hidhur. Fetai thotë se angazhohen për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe me ndërhyrje në Kushtetutë duke hequr 20%-in.

“Përmes mashtrimeve dhe përhapjes së panikut kinse rrezikohet gjuha shqipe, regjimi i vjetër po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për krimet dhe abuzimet e tyre. Por, qytetarët nuk bien më pre e këtyre mashtrimeve. Koalicioni VLEN angazhohet për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe dhe heqjen e emërtimit poshtërues nga Kushtetuta, që e cilëson gjuhën shqipe, si gjuha që e flasin 20% e popullsisë.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.

Ndërkohë çështja tjetër senzitive e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, ende në fazën e shqyrtimit nga grupet e punës për të nxjerrë një ligj konkret. (Meral Ismaili, TVM2)