Kurti: 89% e rinisë në Kosovë e duan anëtarësimin në BE
Përkushtimi ndaj vlerave evropiane...

Përkushtimi ndaj vlerave evropiane vazhdon të dominojë në Kosovë, ka deklaruar kryeministri, Albin Kurti, sipas të cilit 89% e rinisë kosovare e duan anëtarësimin në BE. Ai ka theksuar edhe angazhimin e Qeverisë për realizimin e reformave.
“89% e të rinjve e duan anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në këtë rast rruga është po aq e vlefshme sa edhe destinacioni. Për reformat e brendshme që do ta rrisin standardin e jetesës në Kosovë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, Kosova do të përfitojë deri në 882 milionë euro.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Këtë Kurti e theksoi gjatë prezantimit të Studimit nga Fondacioni “Friedrich Ebert” për rininë, ku u potencua se Kosova, si shumë vendet e Ballkanit Perëndimor është duke u përballur me sfidën e emigrimit të të rinjve.
Hurrelbrink: Kosova dhe rajoni përballen me migrimin e rinisë
Drejtori i Fondacionit “Friedrich Ebert” për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Peter Hurrelbrink, ka thënë se sikurse në Kosovë dhe vende të rajonit, njerëzit janë duke vërejtur që po ka pak progres në përmirësimin e jetës së tyre, për këtë ai ka theksuar se gjithnjë e më shumë ata po vendosin të largohen nga vendet e tyre e të shkojnë në BE.
“Njerëzit nga Ballkani Perëndimor, jo vetëm nga Kosova, e vërejnë që ka pak progres në përmirësimin e jetës së tyre ndaj gjithnjë e më shumë ata po vendosin të largohen nga vendi e të shkojnë në BE, e cila përfiton nga kjo. Gjermania në veçanti përfiton. Kjo është e mirë për BE-në, por është fatkeqësi për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Edhe Kosova po e humb gjeneratën më të re të arsimuar, e cila është e nevojshme për ndryshime, për përmirësime në vend. Ata duhet të jenë e ardhmja dhe duhet të mbeten këtu.”, - theksoi drejtori i Fondacionit “Friedrich Ebert” për Kosovë, Peter Hurrelbrink.
Sipas këtij studimi, rreth 30 për qind e të rinjve të anketuar kanë synim ose pretendojnë për të emigruar. (Gyltene Sinani, TVM2)
