Lufta në Lindjen e Mesme, i dërguari i ShBA-së në Liban: Ka një shans serioz për armëpushim
Ushtria izraelite ka vazhduar të bombardojë...

Ushtria izraelite ka vazhduar të bombardojë edhe gjatë ditës Libanin. Në sulmin ajror në rajonin Dahije në jug të Bejrutit, një ndërtesë 4-katëshe është shënjestruar në zonën Shijah, ku janë vrarë disa persona, por numri i saktë akoma nuk është bërë i ditur, sepse kërkimet për të mbijetuar vazhdojnë.
Izraeli sulmoi pa asnjë paralajmërim. Vetëm të hënën u vranë 15 civilë në Bejrut. Këshilltari i lartë i presidentit të ShBA-së, Amos Hochstein tha se "ka një shans serioz për armëpushim" në Liban, ku erdhi si pjesë e përpjekjeve për armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Hochstein, u takua me kryetarin e Parlamentit libanez, Nebih Berri, në rezidencën e tij në Bejrut.
“Takimi ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm, sepse ne kemi një mundësi reale për t'i dhënë fund këtij konflikti. Shpresojmë të arrijmë një zgjidhje në ditët në vijim. Do të kem biseda shtesë me kryeministrin dhe me të tjerët dhe jam i përkushtuar të bëj gjithçka që mundem për të punuar me Qeverinë këtu në Liban dhe në Izrael për ta përmbyllur këtë konflikt, por vendimi për t'i dhënë fund armiqësive midis Izraelit dhe Hezbollahut është në duart e palëve.”, - deklaroi këshilltari i lartë i presidentit të ShBA-së, Amos Hochstein.
Në Libanin jugor, paqeruajtësit kanë parë shkatërrime "tronditëse" të fshatrave përgjatë Linjës Blu dhe inkursione gjithnjë e më të thella tokësore izraelite, ndërsa situata e fëmijëve në të gjithë vendin po bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar, u tha në konferencën javore të Zyrës së OKB-së në Gjenevë.
“Ne pamë inkursione që hynë më thellë brenda territoreve libaneze, nuk jam i sigurt se sa kilometra, por dy ose tre kilometra brenda, ushtarët izraelit tërhiqen, pastaj kthehen prapë në pozicionet e tyre. Shkatërrimi ka qenë i madh, është tronditëse ajo që shohim përgjatë vijës blu, në fshatra si Kfar Kila, Maroun al-Ras dhe të tjerë, që janë shkatërruar plotësisht nga inkursionet e IDF-së në këto zona.”, - theksoi zëdhënësi i Forcave të OKB-së në Liban (UNIFIL), Andrea Tenenti.
UNICEF: Çdo ditë janë vrarë tre fëmijë në Liban
"Mesatarisht më shumë se tre fëmijë janë vrarë çdo ditë në Liban gjatë dy muajve të fundit. Shumë të tjerë janë plagosur dhe traumatizuar. Janë qindra mijëra fëmijë të mbetur pa shtëpi në Liban. Ashtu si në Gazë, njëjtë edhe në Liban, situata e patolerueshme, në heshtje kthehet në të pranueshme. Edhe një herë, ulërimat e fëmijëve nuk dëgjohen, heshtja e botës bëhet shurdhuese. Kjo është një situate e re normale, por e tmerrshme dhe e papranueshme.", - u shpreh zëdhënësi i Fondit të OKB-së për fëmijët (UNICEF), Xhejms Elder.
Izraeli bombardon Gazën, mbi 50 të vrarë dhe 110 të plagosur
Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, Izraeli ka vazhduar bombardimet edhe në Rripin e Gazës. Në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në 24 orët e fundit ndaj Rripit të Gazës, janë vrarë 50 palestinezë, ndërsa 110 të tjerë janë plagosur. (Farije Bakiu – Dauti, TVM2)
