Maqedoni

Ajri i ndotur, RMV-ja ndër vendet më të ndotura në botë

20.11.2024 13:41

Në adresë të Avokatit të Popullit deri më tani kanë arritur 40 parashtresa në sferën e ambientit jetësor nga të cilët rreth 20 për cilësinë e ajrit...

Në adresë të Avokatit të Popullit deri më tani kanë arritur 40 parashtresa në sferën e ambientit jetësor nga të cilët rreth 20 për cilësinë e ajrit. Pas mendimit të fundit parimor të Gjykatës Supreme, qytetarët kanë mundësi të padisin shtetin për cilësinë e ulët të ajrit, ndërsa për këtë nevojiten dëshmi që në këtë rast janë stacionet matëse të ajrit. 
 
“Kuptohet në komunat ku nuk funksionojnë njësitë matëse, ekzistojnë inspektoratet dhe duhet t’u drejtohen dhe sigurisht që institucionet përkatëse do të ndërmarrin masa që ato njësi matëse të vihen në funksion. Po, ne kemi qytete në të cilat funksionojnë njësitë matëse, ku cilësia e ajrit tregohet ashtu siç është dhe kuptohet se ata mund të ngrenë padi administrative dhe të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre konform mendimit parimor të Gjykatës Supreme të vendit.”, - deklaroi Avokati i Popullit, Naser Zyberi.
 
Sipas Ministrit të Ekologjisë, Izet Mexhiti, zgjidhja thelbësore për rritjen e cilësisë së ajrit është gazifikimi i mjediseve urbane. Do të punohet në rritjen e numrit të familjeve që do të kyçen në ngrohjen qendrore. Mendohet që edhe termocelektranat që janë me qymyr të zëvendësohen me centrale të gazit dhe sisteme të reja.
 
“Ne patjetër të ballafaqohemi me realitetin, ose do të paguajmë gjoba ose ato të dhëna do t’i alokojmë në investime dhe gjetjen e arsyeve dhe jo të merremi me pasojat. Zgjidhja e parë për të cilën duam të punojmë është gazifikimi i mjediseve urbane, ta kthejmë projektin dhe në mënyrë të suksesshme ta realizojmë deri në fund. Kjo është një zgjidhje afatgjate, burim i ri për ngrohje dhe më i lirë, i cili njëkohësisht në mënyrë të dukshme do ta ulë ndotjen, sidomos në mjediset urbane.”, - deklaroi ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti.
 
Nga LSDM-ja akuzojnë pushtetin se nuk po ndërmerr asgjë për t’u ballafaquar me ajrin e ndotur që çdo ditë po mbytë qytetarët.
 
"Ndotja e ajrit është e lartë, qytetarët po mbyten dhe as Qeveria e DPMNE-së dhe as kryetarët e kësaj partie nuk po marrin masa. Gjithashtu, në buxhetin e vitit 2025, Qeveria ka zvogëluar mjetet për ajër të pastër me 51%, paratë për mbrojtjen e mjedisit janë ulur me 25%, dhe paratë për zhvillimin e energjisë janë ulur me 41%. Kjo do të thotë se Qeveria e Mickoskit nuk ka ndërmend të bëjë asgjë për t'i mbrojtur qytetarët.".
 
Nga "VMRO-DPMNE" theksojnë se do të mundësojnë që përveç Qeverisë edhe komunat të luftojë ndotjen.
 
“Përmes granteve kapitale, që është rritur për më shumë se 250%. Në denarë ato janë 2.2 miliardë denarë më shumë në krahasim me vitin e kaluar të parapara për projekte kapitale të Ministrisë së Ambientit Jetësor, gjegjësisht 90% më shumë. Mjete më të mëdha janë investuar në projekte kapitale të dedikuara për objekte të tjera të ndërtimtarisë në vlerë të përgjithshme prej 3.5 milionë denarë.”, - theksoi Sergej Popov nga VMRO-DPMNE.
 
Si shkaktarë kryesorë për ndotjen e ajrit janë ndërtimet e pakontrolluara, shfrytëzimi i burimeve minerale, deponitë e egra dhe mosndërtimi i deponive rajonale, trajtimi joadekuat i mbeturinave, si dhe lëshimi i gazrave të dëmshëm në ajër, u tha me rastin e konferencës ndërkombëtare për ombudsman dhe institucione kombëtare për të drejtat e njeriut dhe mjedisit jetësor.
 
FLORIJE KAMBERI