Maqedoni

Hulumtimi i OJQ “Hops”, përqindja e madhe e të rinjve të varur nga bixhozi

20.11.2024 13:55

Të rinjtë shumë më shpesh janë të përfshirë në lojërat e fatit, jo vetëm nëpër kazinotë...

Të rinjtë shumë më shpesh janë të përfshirë në lojërat e fatit, jo vetëm nëpër kazinotë, por edhe përmes lojërave të ndryshme që organizohen onlajn dhe nëpër bastoret sportive. Kështu treguan rezultatet e hulumtimit të bëra onlajn nga OJQ “Hops” e cila u organizua në mesin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Kosovë. Prej 214 të anketuarve, 152 apo 71% janë përgjigjur se kanë luajtur ndonjë formë të bixhozit, një përqindje e konsiderueshme e të rinjve veç më kishin fituar varësi nga lojërat e fatit, thanë organizatorët e këtij hulumtimi.
 
“Prej 214 të anketuarve, 152 prej tyre apo 71 janë përgjigjur se ndonjëherë kanë luajtur lojëra të fatit, nëpër kazino, në aparatet elektronike të bixhozit, onlajn apo nëpër bastore. Prej tyre një pjesë më e madhe, respektivisht 38 për qind kanë luajtur disa herë në vit, ndërsa 18.3% kanë luajtur çdo ditë, respektivisht rreth 4-5 herë brenda javës. Rezultatet e hulumtimit treguan po ashtu se brenda 30 ditëve 26.2 për qind e të rinjve më së shumti kanë luajtur nëpër kazino, por nuk është numri i vogël edhe të atyre që luajnë bixhoz edhe nëpër bastore, numri i tyre që janë përgjigjur se praktikojnë bixhoz nëpër bastore është 23.8 për qind.”, - deklaroi Vllatko Dekov nga OJQ “Hops”.
 
Të shqetësuar për faktin se një pjesë e konsiderueshme e të rinjve në vend tashmë janë bërë të varur nga lojërat e fatit, përfaqësuesit e Shoqatës Qytetare “Hops” tani kërkojnë programe parandaluese dhe trajtim adekuat nga varësia e kësaj dukurie negative në mesin e të rinjve.
 
“Apelojmë deri tek Ministria e Arsimit dhe Shkencës të zhvillojnë program adekuat për prevenim nga lojërat e ndryshme të varësisë, nëpër shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa Ministria e Shëndetësisë të hapë program për kurimin e varësisë nga bixhozi. Po ashtu të implementohen sanksione më rigoroze për mosrespektimin e ligjit me të cilat u ndalohet hyrja e të rinjve adoleshentë nëpër objektet e lojërave të fatit.”, - theksoi Vllatko Dekov nga OJQ “Hops”.
 
Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit rajonal “Rinia dhe Bixhozi”, i implementuar nga OJQ “Hops”, “Opsionet për një jetë të shëndetshme” në partneritet me “Labyrinth” nga Kosova dhe “Prevent” nga Serbia, me mbështetjen e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Ky hulumtim u realizua gjatë verës në tre vende të rajonit, ku në të u përfshinë të rinjtë deri në moshën 25-vjeçare përmes formës elektronike.
 
REXHEP QAMILI