Maqedoni

Mickoski: Askush në Maqedoni nuk ka asgjë kundër shqipes

20.11.2024 15:05

Gjuha shqipe nuk po rrezikohet në Maqedoni....

Gjuha shqipe nuk po rrezikohet në Maqedoni. Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, kjo është temë artificiale. Kështu ka deklaruar kryeministri, Hristijan Mickoski, duke folur në një intervistë për servisin publik të Kosovës, rreth përdorimit të gjuhës shqipe.

“Ajo që sot është përpara Gjykatës Kushtetuese janë praktikisht tre nene nga Ligji për përdorimin e gjuhëve që kanë të bëjnë me kontestet para gjykatave. E njëjta kur Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte dhënë për mendim në Komisionin e Venecias, u vërejt nga komisioni i njëjtë i Venecias. Fatkeqësisht Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së nuk i dëgjuan rekomandimet e Komisionit të Venecias, vendosi ashtu siç vendosi ta mbyllë atë rast dhe tani 5 vite e mbajtën procesin në sirtarë dhe papritmas kur erdhi Qeveria e re përnjëherë po ndodhë që kjo temë të jetë përsëri në rend dite. Përsëri do t’ju them, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim, askush nuk është kundër gjuhës shqipe, përkundrazi, unë jam kryeministër i Qeverisë, askush nuk është kundër. As në Maqedoni, kjo është temë artificiale.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski: Ndryshimi i Kushtetutës në fuqi, pasi Bullgaria ratifikon anëtarësimin në BE
 
I pyetur rreth eurointegrimeve, Mickoski tha se në vend që ky proces të zhvillohet sipas sistemit të meritave dhe reformave, ai po zhvillohet duke u marr me tema të mesjetës.
 
“Ndërkohë ndryshuam flamurin, kartëmonedhat, Kushtetutën, emrin dhe çfarë nuk bëmë në emër të asaj, nga BE-ja gjithmonë na thuhej vetëm edhe këtë duhet ta bëjmë dhe përfundon puna dhe ne përmbushëm atë. Rezultati i tërë asaj është, ja ju e shihni ku jemi tani ne dhe ku janë të tjerët.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Me ndryshimet kushtetuese, vendi ka mundësi ta kalojmë vetëm pengesën e parë, thotë kryeministri sipas të cilit askush nuk na garanton se do të arrijmë deri në fund. Mickoski në intervistë përsërit qëndrimin se vendi është i gatshëm që në Kuvend t’i fillojë ndryshimet kushtetuese dhe ata do të bëhen pjesë e Kushtetutës, por duke potencuar se këto dy amendamente do të hyjnë në fuqi kur Parlamenti bullgar, do ta ratifikojë marrëveshjen e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. 
 
GYLTENE SINANI