Maqedoni

Shqipja, zyrtare apo jozyrtare? BDI: Ligji për gjuhët e bën shqipen zyrtare

20.11.2024 15:24

Vazhdojnë përplasjet mes partisë shqiptare në pushtet dhe opozitarëve, nëse gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoninë e Veriut...

Vazhdojnë përplasjet mes partisë shqiptare në pushtet dhe opozitarëve, nëse gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Për BDI-në Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e bën shqipe gjuhë të dytë zyrtare, gjersa për koalicionin VLEN, gjegjësisht zëvendëskryeministrin, Izet Mexhiti, në Maqedoninë e Veriut nuk ka Ligj për Gjuhën Shqipe. Është Ligji i gjuhëve që brenda parashihet si kuotë me 20%, sqaron Mexhiti, duke e vërtetuar edhe deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
 
Por, ajo që shqetëson aktualisht integrsitët janë iniciativat e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, trup që do t’i diskutojë nenet e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ku sipas tyre,  gjykatës po i bëhet presion  për të jetësuar agjendën politike të VMRO-së. Për ata, faj ka edhe partneri i saj qeverisës shqiptar.
 
“Kush qëndron pas këtyre përpjekjeve? Kryesorja është partia VMRO-DPMNE, e cila është subjekti kryesor që ka iniciuar këto iniciativa. Jo vetëm që ka dorëzuar ankesa në Gjykatën Kushtetuese për të kontestuar këtë ligj, por tani po përdor presion të drejtpërdrejtë politik ndaj Gjykatës Kushtetuese për të ndikuar në vendimet e saj. Por, ajo që na shqetëson më shumë është se disa struktura dhe figura politike shqiptare në vend dhe rajon, për fat të keq, ndajnë të njëjtat qëndrime me këta individë dhe parti politike.”, - deklaroi Ardita Dani nga BDI.
 
Mexhiti: Mos u shqetësoni, shqipja po avancohet
 
Lidhur me mundësinë e kthimit të Ligjit të Gjuhëve në Kuvend për t’i korrigjuar nenet kontestuese, zëvendëskryeministri Mexhiti thotë se situata nuk është shqetësuese.
 
“Mendoj se nuk ka vend për shqetësim. Në Gjykatën Kushtetuese ka disa iniciativa, nuk kanë të bëjnë me Ligjin e Gjuhëve, ka të bëjë me Ligjin e Gjuhëve, ka të bëjë me disa nene të cilat deri tash nuk janë zbatuar, dhe pasi e ka dërguar vetë Qeveria e kaluar për mendim në komisionin e Venecias, ka pasur edhe aprovim nga zoti Osmani, ish-ministri i Jashtëm, që do absolvohen këto nene, mirëpo ne e ndjekim dhe jemi garant të asaj se të drejtat e shqiptarëve jo që do të mbrohen, por do të avancohen.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
ASh-ja e Selës, ofertë Mickoskit: Ta heqim 20%-shin, meqë s’je kundër
 
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët nga Ziadin Sela, kërkon që të hapet Kushtetuta dhe të hiqet 20%-shi, për t’u zëvendësuar me Gjuhën Shqipe, i cili thirret në deklaratën e Mickoskit se ai nuk është kundër Gjuhës Shqipe.
 
“Oferta ime publike do të ishte, meqë është kështu, unë u bëj apel, hajde të ulemi dhe shpejt ta hapim Kushtetutën dhe ta heqim 20% nga Kushtetuta dhe Gjuha Shqipe dhe Gjuha Shqipe të jetë pjesë e Kushtetutës ashtu siç e meriton.”, - theksoi Ziadin Sela nga ASh-ja.
 
Ndryshe, më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e vë në seancë diskutimin për tre nenet, që kanë të bëjnë më përdorimin e gjuhës në kartëmonedha, uniforma dhe procese gjyqësore.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU