Maqedoni

Shkupi radhitet e para në Evropë me ndotje, Mjekët: Ambulancat e mbushura me pacientë

20.11.2024 15:41

Ndotja e ajrit po thyen rekorde. Shkupi gjatë ditës së sotme renditet si qyteti i parë më i ndotur në Evropë...

Ndotja e ajrit po thyen rekorde. Shkupi gjatë ditës së sotme renditet si qyteti i parë më i ndotur në Evropë dhe i dhjeti në botë, me një indeks të ndotjes 124. Qytetarët ankohen për ajrin e ndotur, thonë se çdo ditë i ndjejnë pasojat në shëndetin e tyre. Pavarësisht alarmit, situata nuk ka ndryshuar prej vitesh. Mënyra e vetme për t’u mbrojtur është të mos dalim nga shtëpia.
 
Pacientët me sëmundje kronike obstruktive të mushkërive ndjejnë më së shumti efektet e ndotjes së ajrit. Këto ditë për shkak të ndotjes së lartë edhe klinikat kanë numër të madh të pacientëve. 
 
“Është rritur shumë numri i pacientëve nëpër ambulanca, është rritur edhe presioni për hospitalizim, sepse jo vetëm tek ne, por gjithandej nëpër botë resurset për hospitalizim janë më të vogla sesa kërkesat e qytetarëve, sidomos në situata të këtilla kur ajri është shumë i ndotur.”, - theksoi një mjeke.
 
“Më të shpeshta janë grimcat pm10 dhe pm2, grimcat më të vogla depërtojnë në fyt dhe sipas statistikave të fundit secila e gjashta apo e shtata foshnje e porsalindur do të ketë sëmundje të mushkërive  më tutje në jetë. Kjo ndodh për shkak se kemi ndotje enorme. Vendet në zhvillim që kanë ndotje të lartë të ajrit janë të ekspozuar  dhe vështirë është të ndërmerret diçka. Kjo ndikon si në sëmundjen e demencës apo autizmit, tashmë është vërtetuar.”, - u shpreh mjeku, Oliver Zafirovski. 
 
Qytetarët thonë se autoritetet kompetente duhet të ndërmarrin urgjentisht masa dhe të ulet ndotja e ajrit, sepse ua përkeqëson shëndetin e tyre dhe fëmijëve që janë në proces të zhvillimit dhe rritjes.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI