Maqedoni

Propozim-buxheti përplas pushtetin me opozitën, Murat: Buxheti diskriminon fëmijët turq

20.11.2024 16:04

Në Komisionin Parlamentar për Financa dhe Buxhet ka pasur përplasje të deputetëve të pozitës dhe të opozitës...

Në Komisionin Parlamentar për Financa dhe Buxhet ka pasur përplasje të deputetëve të pozitës dhe të opozitës rreth propozim-buxhetit për vitin 2025. Deputeti turk nga “Fronti Evropian”, Sali Murat, tha se edhe me parashikimin e buxhetit për vitin 2025 nuk janë paraparë mjete që fëmijët e komunitetit të turqve që vijojnë mësimin në gjuhën turke, edhe pse këtë e obligon ligji aktual, dhe sipas tij nga ky diskriminim për pësojnë rreth 7.000 fëmijë. 
 
“Neve po na bëhet një padrejtësi e madhe, vetëm pse jemi turq, por një ditë kur RMV-ja të jetë vend më demokratik do ta kuptoni këtë padrejtësi që po e bëni, por mos harroni se ju keni marrë vota edhe nga turqit. Ne si turq jemi në RMV diku 65.000, por nuk po kemi të drejtë as të shkollohemi, e ku më të kemi ministra në kabinetin e Qeverisë.”, - deklaroi deputeti i “Frontit Evropian”, Sali Murat. 
 
Stojanovska: Jemi mbushur me këtë retorikë
 
Por, ka reaguar deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska, e cila theksoi se këtë retorikë deputeti e ka zgjedhur me qëllim që të jetë në qendër të vëmendjes, dhe pse ka hallin e turqve. 
 
“Ju deputetë keni heshtur kur është folur për Ligjin e gjuhëve, ndërsa unë kam mbrojtur këtu përkatësinë edhe të shqiptarëve edhe të turqve. Por, jemi mbushur me këtë retorikë nga BDI-ja, por BDI-ja nuk është reprezenti i vetëm i shqiptarëve. Nuk është me rëndësi a është një deputet apo ministër turk apo shqiptar apo ndonjë etnie tjetër, me rëndësi është të punojnë në të mirën e të gjithëve.”, - theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska. 
 
Sipas pushtetit, në këtë buxhet janë rritur të ardhurat e buxhetit në të gjitha ministritë dhe theks i është kushtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Debati për Buxhetin e vitit të ardhshëm i Komisionit Parlamentar të Financimit dhe Buxhetit zgjat 10 ditë dhe duhet të përfundojë jo më vonë se data 30 nëntor, e më pas vazhdon në seancë plenare. Për propozim-buxhetin për vitin 2025 janë dorëzuar gjithsej 308 amendamente, prej të cilave 204 nga LSDM-ja opozitare. Sipas ligjit, buxheti për vitin 2025 duhet të votohet deri më 31 dhjetor.
 
FITIM KRYEZIU