Maqedoni
Tetovë, qytetarët kërkojnë të merren masa
20.11.2024 16:36
Qyteti i Tetovës vazhdon të jetë një ndër qytet më të ndotura...

Qyteti i Tetovës vazhdon të jetë një ndër qytet më të ndotura. Si ndotës më i madhe i ajrit në Tetovë është komunikacioni i ngarkuar çdo ditë nga qytetarët. Qytetarët e anketuar thonë se gjatë këtyre ditëve ndotja e ajrit ndjehet më shumë, dhe kërkojnë nga institucionet të marrin masa. Por, shprehen se apelet e institucioneve drejtuar qytetarëve nuk kanë dhënë shumë rezultat, ata kërkojnë më shumë veprim.
“Vërehet pak, sot dola, dje dola pak, gjatë ecjes në rrugë ndjehet. Vetëdija e popullatës sonë është një problem tjetër. Kjo është çështje e vetëdijes, vetëm me apele ne kemi parë se rezultat nuk arrihet vetëm tek njerëzit e ndërgjegjshëm, ndoshta apelet vlejnë pak. E shohim veçanërisht ditët e premte pas dite njerëzit e kanë bërë rutinë duhet të dalin, shëtisin me veturë, vetë mund t’i shohësh se rrallë dy persona mund t’i shohësh në një veturë.”, - tha një qytetar.
“Po, gjithsesi pengon, po çfarë të bëjmë? Ne kërkojmë pak rregulla, që rregulli të respektohet. Rregulla ka, por nuk respektohen.”, - tha një qytetar tjetër.
“Më keq nuk ka.”, - u shpreh një qytetar.
“Inshaalla më shumë ndotet!”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Ajri i ndotur në Tetovë, Kasami paralajmëron masa
Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se një ndër masat që duhet të marrë komuna edhe pse ligji nuk e lejon që bashkë me SPB - Tetovën dhe Inspektoratin komunal, do të dalin në terren dhe do të informojnë qytetarët që mos të dalin të vetëm me veturat pa nevojë, por të njëjtët të shfrytëzojnë transportin publik.
“Ligjërisht nuk është e mundur të ndalohet, por propozimi është që policia bashkë me inspektorët të ndalojnë veturat dhe të informojnë qytetarët që në funksion të kujdesit ndaj ambientit mos të udhëtojnë pa nevojë një veturë një person dhe në të njëjtën kohë të shfrytëzojnë transportin publik.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Përndryshe gjatë këtij muaji, në 7 ditë ajri në Tetovë ka qenë mbi nivelin e lejuar të ndotjes. Kurse frika është se në dhjetor, janar dhe shkurt, ndotja të jetë e lartë, siç ka ndodhur vitet e fundit, për shkak të mënyrës së ngrohjes së qytetarëve dhe ulja e mjegullës në qytet.
VISAR SADIKI
