Tiranë, vrasja e nxënësit 14-vjeçar trondit vendin
Qeveria i dedikoi një mbledhje të posaçme ngjarjes tronditëse...

Qeveria i dedikoi një mbledhje të posaçme ngjarjes tronditëse të tre ditëve më parë, për të gjetur mënyrën se si do të përballen me një prej fenomeneve më të rrezikshme të shoqërisë, dhunës mes të miturve që kryesisht frymëzohet nga përdorimi pa kriter i rrjeteve sociale.
Duke cilësuar platformat e Tik-Tok dhe Snapchat, burimet me pjellore të nxitjes së dhunës dhe bullizimit mes të miturve, kryeministri Edi Rama doli me një propozim konkret, për të cilin kërkoi bashkëpunimin e prindërve. Të mbyllet apo jo Tik Tok e Snapchat.
“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Evropë apo përtej Evropës, mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën onlajn të fëmijëve dhe të adoleshentëve, vetëm rriten apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik-Tok-ut e pse jo, të Snapchat-it në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim për një diskutim të gjerë me të gjithë komunitetet e prindërve ku do të angazhohen të gjitha shkollat, nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Puna për rritjen e sigurisë në shkolla, nuk do të mbetet me vetëm këtë iniciativë.
“Për projektin e ngritjes së një sistemi të ri digjital të kontrollit të shkollave dhe të çdo klase në kuadrin e sistemit të ri kombëtar të monitorimit me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare dhe të rrugëve të qyteteve tona. Po punojmë prej më shumë se një viti për këtë projekt me qeverinë e Emirateve të Bashkuara.”.
Dorën ua zgjati sërish prindërve, të cilët në këtë betejë i cilëson aleatët me të mëdhenj.
“Gjithsecili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë në pjesën e vetë të frontit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda mureve të shkollës dhe shtrihet kudo ku zhvillohet jeta e fëmijëve tanë. Pres me padurim rezultatet e këshillimit të gjerë me komunitetet e prindërve.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. (Luljeta Ndoka, TVM2)
