ShBA-ja e mbyll ambasadën në Kiev, ekziston rreziku nga sulmi ajror

20.11.2024 18:39

Ambasada e ShBA-së në Kiev është mbyllur përkohësisht...

Ambasada e ShBA-së në Kiev është mbyllur përkohësisht për shkak të raportimeve për një sulm ajror në Ukrainë, tha Departamenti i Shtetit. Në kryeqytetin ukrainas u aktivizuan sirenat e sulmit ajror. Ushtria ukrainase ka paralajmëruar qytetarët për dronët mbi Kiev, për të cilët janë aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore.

“Si masë paraprake, ambasada do të mbyllet dhe punonjësit e saj janë udhëzuar të strehohen të sigurt. Ambasada e SHBA-së në Kiev këshillon qytetarët amerikanë që të jenë të përgatitur për t'u strehuar menjëherë në rast të një kërcënimi ajror."- thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Presidenti amerikan, Bajden, ka miratuar dërgimin e minave kundër-këmbësorike në Ukrainë, ku Shtëpia e Bardhë thotë se është një hap kyç në përpjekjen për të ndaluar avancimin e forcave ruse në vijën e frontit.

Zelenski thotë se ata do të luftojnë me të gjitha armët që kanë në dispozicion, por paralajmëroi se do ta humbin luftën nëse ShBA-ja ndalon financimin.

“Nëse i ndërpresin furnizimet, mendoj se do të humbasim. Sigurisht ne do të qëndrojmë, do të luftojmë. Ne kemi prodhimin tonë, por nuk është e mjaftueshme, por nëse ky është vendimi amerikan, ne do të duhet të mendojmë se çfarë mund të bëjmë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Administrata Bajden po nxiton të përmbushë një premtim të bërë ndaj Kievit për të ofruar ndihmë përpara se presidenti i zgjedhur Tramp të merr detyrën.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën me një sërë paketash që do të mbështesin nevojat e saj afatshkurtra dhe afatgjata përpara se presidenti të largohet.”, - theksoi zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Sing.

Opsioni i ngrirjes së konfliktit ukrainas nuk është i mirëpritur nga Rusia, megjithëse presidenti Putin është i hapur për negociata, thotë Kremlini.

“Presidenti ka deklaruar vazhdimisht se është i gatshëm për negociata. Presidenti tha se disa propozime për të ngrirë këtë konflikt nuk do të na përshtaten. Është e rëndësishme për ne të arrijmë qëllimet që janë më të njohura për të gjithë.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Shtetet e Bashkuara nuk shohin arsye për të përshtatur qëndrimin e tyre bërthamor, tha Departamenti i Shtetit, pasi Moska kërcënoi se përdorimi i armëve me rreze të gjatë do të ndezë luftën. Rusia tashmë ka përditësuar doktrinën e saj bërthamore. (Fitore Demolli, TVM2)