Botë

Shpërtheu vullkan në Islandë

21.11.2024 10:14

Një vullkan në gadishullin e Rekjanes në jugperëndim të Islandës ka shpërthyer për herë të shtatë prej dhjetorit...

Një vullkan në gadishullin e Rekjanes në jugperëndim të Islandës ka shpërthyer për herë të shtatë prej dhjetorit të kaluar, duke lëshuar lavë nga një çarje e madhe.

Shpërthimi nisi me pak paralajmërime të mërkurën pak para mesnatës dhe e krijoi një çarje rreth 3 kilometra të gjatë. Megjithatë, kjo çarje vlerësohet më e vogël sesa ajo nga shpërthimi i fundit në gusht, tha Zyra Meteorologjike e Islandës. Derisa ky shpërthim nuk përbën rrezik për transportin ajror, autoritetet kanë paralajmëruar për emetime të gazit përgjatë pjesëve të gadishullit, përfshirë në afërsi të qytezës Grindavik.
 
Shpërthimet e vazhdueshme vullkanike në afërsi të Grindavikut, e cila ka 3.800 banorë dhe ndodhet rreth 50 kilometra larg kryeqytetit Reikjavik, kanë shkaktuar dëme ndaj infrastrukturës dhe pronës dhe i kanë detyruar shumë prej banorëve të zhvendosen për sigurinë e tyre. Banorët e rreth 50 shtëpive u evakuuan menjëherë, pasi agjencia për mbrojtje civile lëshoi alarmin, raportoi transmetuesi shtetëror.