Maqedoni

Shkup, transporti publik në gjendje kaotike

21.11.2024 14:19

Vetëm 25 autobusë ekologjik u nisën këtë të enjte për të qarkulluar në rrugët e Shkupit....

Vetëm 25 autobusë ekologjik u nisën këtë të enjte për të qarkulluar në rrugët e Shkupit. Një numër i madh i autobusëve urbanë, mbetën të parkuara në garazhet e NPQ-së, pasi që nuk kishin naftë për t’i ndezur ato.  Kjo gjë shkaktoi kaos të madh me transportin publik.
 
Edhe sot vazhdon kaosi me transportin publik në kryeqytet. Shumë qytetarë sot në mëngjes nuk arritën në vendet e tyre të punës, për shkak të mungesës së autobusëve në Shkup. 
 
Pritje të gjata, autobusë të stërmbushur me udhëtarë dhe qytetarë të nervozuar. Kjo ishte pamja në çdo stacion të autobusëve në Shkup.  Edhe pse kishin paguar bileta mujore, pak qytetarë arritën të hipin në një prej 25 autobusëve në qarkullim. Qytetarët vonoheshin nëpër vendet e punës, nxënësit nëpër shkolla, ndërsa studentët nëpër provimet e tyre. Andaj ishin të detyruar të vetorganizohen për transport. Ata të cilët kishin mundësi, thirrnin taksi, ndërsa të tjerët në këmbë ose me transport të organizuar privat me të afërmit e tyre. Kërkojnë përgjegjësi prej autoriteteve. 
 
“Sot gjendja e autobusëve është e papërshkrueshme.  Ja, gjysmë ore që kam dalë prej punës, po pres autobus dhe nuk ka. Në vendin e punës jam vonuar dhe kryesisht organizohemi me ndonjë të afërm me veturë për të na marrë.”, - tha një qytetar.
 
“Unë prej Sarajit, që kam ardhur një orë e gjysmë, kam pritur në Saraj dhe tani edhe këtu po pres 40 minuta. Jam në punë, por do të vonohem, vazhdoj ta pres 63-shin, por ende nuk ka ardhur.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Jam duke pritur një orë dhe autobusi nuk ka ardhur, ndërsa nuk më jepen para për taksi, pasi që shumë shtrenjtë më kushton deri në fshatin Stajkovcë.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Një orë jam duke e pritur 52-shin dhe jam vonuar për në fakultet.”, - u shpreh një qytetare.
 
“Ne nuk kemi mundësi as për të shkuar në mëngjes në punë e as për t’u kthyer. Sinqerisht nuk dimë se si të arrijmë nëpër punët tona.”, - u shpreh një qytetare tjetër. 
 
“Nuk kishte autobusë dhe u nisa në këmbë prej tek qendra tregtare këtu, dhe përsëri as këtu nuk po kalon asnjë autobus.”, - tha një qytetare. 
 
Kompania e cila furnizon NPQ-në me naftë ka ndërprerë furnizimin, pasi që kjo e fundit nuk kishte shlyer borxhet e mëhershme. Nga Sindikata e Pavarur e të Punësuarve në NPQ thonë se faji nuk është i tyre, por qëndron tek institucionet tjera, pasi që dyshojnë se po bëhet fjalë për mallverëzime të mëdha me tenderët. Kërkojnë mirëkuptim dhe durim nga qytetarët derisa të zgjidhet çështja në fjalë.   
 
“Deklaroj me vetëdije të plotë se të punësuarit në NPQ Shkup nuk janë fajtorë për këtë gjendje, sepse po bëhet fjalë për politikë dhe për tenderë të mëdhenj të dyshimta. Për këtë shkak, sindikata planifikon të organizohet nga dita e hënë, mirëpo kjo nuk do të thotë asgjë, pasi që qytetarët e Shkupit nuk do të mund të arrijnë deri në vendet e tyre të punës, çerdheve apo shkollave dhe kjo gjë neve më së shumti na pengon, por do të mundohemi këto çështje t’i zgjidhim në mënyrë sindikale.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së NPQ-së, Miço Stojanovski.
 
Problemet me transportin publik dhe mungesën e derivateve të naftës do të diskutohen edhe në një seancë urgjente të Këshillit të Qytetit të Shkupit.
 
REXHEP QAMILI