Maqedoni
Rruga e Butiqeve në Tetovë, promovohen artizanatet tradicionale tetovare
21.11.2024 14:37
Në kuadër të festave të nëntorit në Tetovë, në rrugën e Butiqeve janë promovuar artizanate të ndryshme tradicionale tetovare....

Në kuadër të festave të nëntorit në Tetovë, në rrugën e Butiqeve janë promovuar artizanate të ndryshme tradicionale tetovare. Mjeshtri i çiftelisë, Naim Abduramani, nga fashti Vicë i Tetovës, thotë se çiftelia është instrumenti që më shumë e blejnë mërgimtarët dhe ndërtimin e tyre e ka traditë nga familja.
“Ne vetë i prodhojmë çiftelitë, sharkitë, vijmë dhe i shesim këtu në Tetovë nëpër tregje. Ky zanat nuk humb. Interesim ka plot, më shumë nga mërgimtarët, por edhe nga këto këtu.”, - theksoi mjeshtri i çiftelive - fshati Vicë, Naim Abduramani.
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, tha se ky aktivitet është i pari në rrugën e ndërtuar me kalldrëm, që është projekt ndërkufitar mes komunës së Prizrenit dhe Tetovës.
“Kjo rrugë ashtu siç po e shohim dalëngadalë po merr pamjen e saj me kalldrëm, ulëset dhe me gjithë elementet përcjellëse që sigurisht do të jetë një impuls i rëndësishëm për zhvillim e bizneseve, të cilat kryesisht janë të ndërlidhura me aktivitete artizanale. Sot po promovojmë që është një aktivitet i parë me bizneset e vogla mes komunës së Tetovës dhe Prizrenit dhe kjo tregon se me projekte Ipard janë projekte që na bashkojnë mes komunave edhe në të ardhmen.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Këtë projekt komuna e Prizrenit e ka realizuar më herët, bëri të ditur përfaqësuesi i komunës së Prizrenit, Ramadan Tarashaj, duke shtuar se hapja e rrugës Tetovë - Prizren do të rrisë impaktin ekonomik dhe atë të turizmit.
“Prizreni e ka përfunduar këtë projekt, mirëpo bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë mes komunës së Tetovës dhe Prizrenit. Siç shihet Tetova ka ndryshime me këtë rrugë ose siç e quani ju, lagjja e Butiqeve. Besoj se Tetova do ta kthejë historikun e vetë siç ka qenë dhe kjo është vetëm fillimi siç ka kthyer kalldrëmin. Prizreni dhe Tetova kanë një lidhje mes vete dhe kështu që turizmi do të rritet shumë, jo vetëm për komunën e Tetovës dhe Prizrenit, por për gjithë rajonin.”, - u shpreh drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, komuna e Prizrenit, Ramadan Tarashaj.
Nga komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se edhe rrugët tjera që lidhen me rrugën e Butiqeve do të ndërtohen me të njëjtën kalldrëm, ndërsa si ide është që edhe fasadat e dyqaneve dhe shtëpive, të financohen nga komuna që të kenë një pamje.
VISAR SADIKI
