Maqedoni

Qeveria, miratohet Plani aksional për uljen e ndotjes

21.11.2024 15:05

Qeveria ka miratuar Planin aksional me masa afatshkurtra, që ka për qëllim zvogëlimin e emetimeve të substancave ndotëse...

Qeveria ka miratuar Planin aksional me masa afatshkurtra, që ka për qëllim zvogëlimin e emetimeve të substancave ndotëse, në rast të ndotjes alarmante të ajrit. Siç njofton Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të këtyre masave parashikohen kontrolle të shtuara të automjeteve, regjim i veçantë i komunikacionit, ndalim për dërgimin e mallrave dhe transportin e makinerive ndërtimore. 
 
“Ministria e Punëve të Brendshme – Policia Rrugore do të kryejë kontrolle të forta dhe të jashtëzakonshme të automjeteve për të përcaktuar korrektësinë teknike të automjeteve për emetimin e gazrave të shkarkimit. Kjo do të ndihmojë në uljen e ndotjes së trafikut. Komunat dhe Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me MPB-në do të sigurojnë regjime të posaçme të komunikacionit për automjetet e rënda të mallrave, duke i drejtuar në rrethrrotullimet, me qëllim të reduktimit të trafikut në zonat urbane. Komunat dhe Qyteti i Shkupit do ta ndalojnë dërgimin e mallrave dhe transportin e makinerive ndërtimore si ekskavator, buldozer dhe pirun në periudhën prej orës 07:30 deri në orën 18:00. Reduktimi i përdorimit të automjeteve zyrtare: Të gjitha organet e administratës shtetërore, agjencitë, fondet, byrotë, institutet, ndërmarrjet publike dhe shoqëritë aksionare shtetërore, si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të reduktojnë përdorimin e automjeteve zyrtare deri në 50%. Kjo masë synon të reduktojë trafikun zyrtar dhe emetimet e tij.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit.  
 
Po ashtu, Plani aksional parasheh përjashtimin nga detyrimet e punës për grupet vulnerable, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Punës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë i obligon të gjithë punëdhënësit, që t’i lirojnë nga detyrimet e punës: gratë shtatzëna; personat mbi 60 vjeç; personat me sëmundje malinje, astmë kronike, infarkt të mëparshëm të miokardit ose goditje në tru, pavarësisht moshës, me rekomandim të mjekut amë. 
 
Riorganizimi i orarit të punës prej orës 11:00 deri në orën 17:00 dhe sigurim i maskave mbrojtëse për punëtorët të tipit KN95 ose të paktën FFP2. Parashihen kontrolle të jashtëzakonshme të instalimeve me A-leje të integruar ekologjike dhe me B-leje, si dhe kontrolle emergjente në kantieret e ndërtimit. Masat e lartpërmendura do të zbatohen në rastet e tejkalimit të kufijve të lejuar të ndotjes së ajrit. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU