Seanca e pyetjeve të opozitës, Ajdari: Mexhiti të sqarojë kundërthëniet e tij

21.11.2024 15:30

Statusi i gjuhës shqipe, në qendër të pyetjeve të deputetëve të opozitës...

Statusi i gjuhës shqipe, në qendër të pyetjeve të deputetëve të opozitës shqiptare. Rina Ajdari nga BDI kërkoi nga zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, të sqarojë deklaratat e tij, sipas saj kundërthënëse, nisur nga miratimi i Ligjit të gjuhëve e deri së fundmi me mbështetjen dhënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Çdo përpjekje për ta ndryshuar ose për ta reduktuar këtë të drejtë themelore mbase është e rrezikshme, këto pra janë fjalët e zyrtarit tuaj. Ndërsa jo më larg se një ditë më parë pajtoheni me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, zotëri Kurti, i cili thotë se në Maqedoni të Veriut nuk mund të thuhet se ka qenë shqipja gjuhë zyrtare.”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari.

Mexhiti: Gjuha shqipe kushtëzohet nga 20%-shi

Zëvendëskryeministri Mexhiti, me qëndrim se gjuha shqipe vetëm është avancuar, gjithçka tjetër është tendencë për të krijuar amulli.

“Gjuha shqipe përdoret nëpërmjet Ligjit të gjuhëve, që po ashtu apostrofohet për bashkësinë e cila është mbi 20%, ka të drejtë të përdoret deri në momentin që është mbi 20%. Çka kur nuk do të jetë 20%? Do t’ia lëmë fatit. Pra, problemi është iniciuar pikërisht nga ju dhe ne jemi garanci që gjuha shqipe do të përdoret zyrtarisht dhe askush nuk mund ta cenojë atë.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.

Mexhiti paralajmëron sjelljen e ligjit radikal për lojërat e fatit deri në fund të vitit, si dhe përballje të caktuara të ish-pushtetit me drejtësinë.

Përfaqësimi i drejtë, Taravari: Ligji, gati për disa muaj

Ndërkaq nga përgjigja e ministrit Taravari, mësohet se Ligji për përfaqësim të drejtë do të jetë gati pas disa muajsh.

“Ekspertët punojnë dhe mbledhja e tretë është mbajtur. Tani mos na kapni për fjalë, mund të vonohet edhe disa muaj, s’bëhet nami, ju jeni vonuar me dekada, por nuk ua zëmë për të madhe.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Seanca e pyetjeve të opozitës, shmanget incident fizik në Kuvend

Përpos akuzave të socialdemokratëve drejtuar ministres së Energjetikës, Sanja Bozhinovska, për 1 milion euro borxh MEPSO-s, seanca e pyetjeve të opozitës u përshkallëzua me përplasje verbale midis deputetit të “Së Majtës”, Dimitar Apasiev dhe VMRO-DPMNE-së, Zoranço Jovançev. Shkak ishte pyetja e paparalajmëruar e deputetit të “Së Majtës”, Rexhep Ismail, drejtuar kryeministrit.

Paraprakisht në mungesë të mbështetjes së shumicës nuk kaloi propozim-ligji i LSDM-së për rritjen e pagës minimale në 27.700 denarë. (Meral Ismaili, TVM2)