LSDM: Gjendja me transportin, alarmante, Arsovska dhe VMRO-ja të ndërpresin inatet

21.11.2024 16:12

LSDM-ja opozitare vlerëson se gjendja me transportin publik në Shkup...

LSDM-ja opozitare vlerëson se gjendja me transportin publik në Shkup është alarmante, prandaj propozon ligj për përkrahje financiare të Qytetit të Shkupit dhe mbështetje financiare për derivate. Nga kjo parti apelojnë te kryetarja e Shkupit, Arsovska dhe VMRO-DPMNE-ja, të ndërpresin inatet në dëm të shkupjanëve.

“Gjendja është alarmante, transporti publik nuk funksionon, jemi dëshmitarë të kontejnerëve të mbushur me mbeturina në të gjitha anët, ndërsa shërbimet tjera që i meritojnë qytetarët janë tërësisht të lëna anash. I ftojmë VMRO-DPMNE-në dhe Arsovskën të vetëdijesohen dhe të ndërpresin inatet në shpinën e shkupjanëve. Nuk është kohë për përplasje politike, por është koha për sjelljen e vendimeve urgjente të ndërgjegjshme për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët e Shkupit.”, - deklaroi këshilltarja e LSDM-së në qytetin e Shkupit, Lubica Jançeva.

Janevska: Nxënësve t’u sigurohet transport

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, thotë se është e turpshme që në kryeqendrën e vendit nxënësit të mos mund të shkojnë në shkollë, për shkak të mungesës së autobusëve.

“Gjendja është shumë e keqe, është turp që në kryeqendrën e Maqedonisë në esencë t’u pamundësohet e drejta nxënësve që të marrin arsimim adekuat, e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Sinqerisht besoj se do të gjendet zgjidhje për këtë situatë, pasi është e patolerueshme që të gjitha përpjekjet dhe ndryshimet që dëshirojmë t’i realizojmë për kualitetin e arsimit të pengohen, për shkak të mos organizimit të autoriteteve të qytetit.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.

Nga qyteti i Shkupit e kanë fajësuar byronë për furnizime publike për anulimin e procedurës së rregullt për furnizim publik me derivate. Por, nga byroja kanë thënë se punojnë profesionalisht dhe kërkojnë nga qyteti i Shkupit, që ta respektojnë ligjin e jo të merren me politikë. (Belinda Koka Ademi, TVM2)