Tiranë, mbahet Kuvendi Kombëtar i Gjuhës Shqipe
Mbrojtja ligjore e gjuhës shqipe...

Mbrojtja ligjore e gjuhës shqipe në përdorim publik dhe krijimi i një komisioni shtetëror për kujdesin ndaj gjuhës amtare është ajo çfarë kërkoi gjuhëtari Emil Lafe në Kuvendin Kombëtar të Gjuhës Shqipe që po mbahet në Tiranë.
“Disiplina është tipar themelor për shtetin, por nuk kemi arritur të ngulisim një disiplinë të tillë për gjuhën. Jo vetëm të metat gjuhësore në prodhimin shkresor të administratës dhe cungim të alfabetit, por shtetit tonë i mungon një regjistër i koordinuar i qendrave të banuara dhe hapësirave gjeografike në përgjithësi. Gjuha shqipe ka nevojë të pastrohet dhe mbarështohet. Republika e Shqipërisë ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e gjuhës shqipe. Gjuha duhet të jetë shembull orientues.”, - theksoi gjuhëtari, prof. Emil Lafe.
Për gjuhëtarin, terminologjia e përbashkët dhe njehsimi i saj në Shqipëri e Kosovë ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e shqipes.
“Jo vetëm abetare e përbashkët, por gjuha shqipe duhet të jetë në lartësinë e gjuhëve evropiane edhe në fushën e shkencës, teknikës, kulturës moderne dhe organizimit të shtetit. Një dhe e pandarë.”, - u shpreh gjuhëtari, prof. Emil Lafe.
Kryeministri Rama tha se shumë shpejt shqipja do të jetë gjuhë zyrtare edhe e BE-së dhe me siguri do të rreshtohet si ndër të veçantat në union.
“Dua të them se ky Kuvend vjen edhe si një produkt i samitit të tretë të diasporës që u mbajt në Tiranë në nëntorin e vitit të shkuar, ku shqipja ishte një nga temat kryesore dhe nga ku dolëm së bashku me gjithë atë komunitet në disa përfundime e morëm disa angazhime.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama.
Këtë të premte në Kuvendin Kombëtar të Gjuhës do të prezantohet drafti për Fjalorin e madh të Shqipes, për të cilin do të mirëpriten edhe vërejtje, ndërkohë që një punë kolosale po bëhet edhe për hartimin e Librit të madh të Historisë së Shqiptarëve. (Luljeta Ndoka, TVM2)
