Bombardime izraelite në Gazë, 71 të vrarë dhe 176 të plagosur
Seri bombardimesh izraelite kanë zgjuar banorët e Rripit të Gazës....

Seri bombardimesh izraelite kanë zgjuar banorët e Rripit të Gazës, ku janë vrarë 71 palestinezë, ndërsa 176 të tjerë janë plagosur. Shënjestër e sulmeve ishin objektet civile. Vetëm në një ndërtesë pesëkatëshe në lagjen Sheikh Radvan, mbetën të vrarë 22 civil.
"Kjo shtëpi pesëkatëshe ishte në shënjestër dhe i përket familjes Al-Aroubi. Këtu strehoheshin njerëz të zhvendosur nga veriu. Më shumë se tridhjetë njerëz ishin në këtë shtëpi gjatë sulmit. Shumica janë dëshmorë dhe nuk e di nëse ka të mbijetuar, pjesa dërrmuese e të vrarëve janë fëmijë dhe gra. Ne nuk mund t'i nxjerrim dëshmorët. Këtu është një trup dhe nuk e dimë se kush është pasi janë copëtuar.”, - tha një i afërm i viktimave nën rrënoja, Moataz Al-Arouqi.
"Jemi duke punuar për nxjerrjen e këtij trupi, i cili është pa kokë, shtëpia është bombarduar nga pushtimi izraelit. Po mundohemi ta nxjerrim në mënyrë primitive, duke përdorur një çekiç dhe një kaçavidë.”, - theksoi oficeri i Mbrojtjes Civile, Ibrahim Ebu Al-Rish.
Përplasje në Senatin amerikan, votim kundër dërgimit të armëve në Izrael
Lufta në Gazë ka shkaktuar përplasje mes senatorëve amerikanë. Senati votoi disa projektligje për të bllokuar dërgesat e armëve në Izrael. Rezolutat u prezantuan nga senatori, Berni Sanders, i cili tha se ShBA-ja, është bashkëpjesëmarrës në këtë mizori.
"Ajo që ka bërë kjo Qeveri ekstremiste në Gazë është e papërshkrueshme, por ajo që e bën edhe më të dhimbshme është se pjesa më e madhe e kësaj është bërë me armët amerikane dhe dollarët e taksapaguesve amerikanë. Vetëm në vitin e fundit, ShBA-ja i ka dhënë Izraelit 18 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe dërgoi më shumë se 50 mijë tonë pajisje ushtarake. ShBA-ja është bashkëpunëtore në të gjitha këto mizori. Ne po i financojmë këto mizori. Ky bashkëpunim duhet të marrë fund.", - deklaroi senatori, Berni Sanders.
Por, pavarësisht përplasjeve, Senati amerikan me shumicë dërmuese hodhi poshtë tre rezoluta, me të cilat ndalohen shitjet e armëve sulmuese ndaj Izraelit. Ushtria izraelite ka vazhduar sulmet edhe në Liban, ku janë shënjestruar lagjet Hurayk dhe Hades në jug të Bejrutit. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
