Botë
Bajden: Urdhërarresti i GjNP-së për Netanjahun, fyes
22.11.2024 12:50
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden, e ka quajtur “fyes” urdhërarrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden, e ka quajtur “fyes” urdhërarrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krime të luftës ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.
“Çfarëdo që mund të nënkuptojë GjNP-ja, nuk ka asnjë ekuivalencë, asnjë midis Izraelit dhe Hamasit. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij.”, ka thënë Bajdeni.
Orban: Do ta ftoj Netanjahun në Hungari
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se do ta ftojë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu, për vizitë në Hungari, duke shtuar se do të garantojë se fletarrestimi i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale kundër Netanjahut “nuk do të zbatohet”. Orbani, vendi i të cilit mban kryesimin e presidencës me rotacion 6-mujor të Bashkimit Evropian, tha për radion shtetërore se fletarrestimi i GjNP-së për Netanjahun është “gabim” dhe shtoi se lideri izraelit do të jetë në gjendje të mbajë bisedime në Hungari “me siguri adekuate”.
GjNP-ja lëshoi fletarrestime të enjten për Netanjahun, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe për liderin e Hamasit, Ibrahim Al-Masri, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin në Gazë. Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi i hedhin poshtë akuzat e GjNP-së.
