Maqedoni
Qeveria, akademi solemne për Ditën e Alfabetit, urojnë Mexhiti, Mickoski, Gashi dhe Siljanovska
22.11.2024 13:37
Shqiptarët në Maqedoni dhe në të gjitha trojet etnike dhe diasporë festojnë sot Ditën e Alfabetit...

Shqiptarët në Maqedoni dhe në të gjitha trojet etnike dhe diasporë festojnë sot Ditën e Alfabetit. Qeveria e Maqedonisë së Veriut me një Akademi solemne e shënon Ditën e Alfabetit shqip, me ç’rast zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti dhe kryeministri, Hristijan Mickoski, uruan të gjithë shqiptarët.
“Punimet e Kongresit të Manastirit që rezultuan me miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe shtruan rrugën për kodifikimin e shkrimit në gjuhën shqipe, ndërsa vendimet e miratuara në Kongres i vunë gurthemelet e identitetit modern evropian të popullit shqiptar. Kongresi i Manastirit ishte thirrje kundër asimilimit dhe fshirjes së gjuhës shqipe nga kujtesa e shqiptarëve. Ky mobilizim i inteligjencës dhe udhëheqësisë politike të shqiptarëve në Manastir në vitin 1908 pikërisht në kohën e lëvizjeve kryengritëse të popujve të Ballkanit, të cilat do të sfidonin seriozisht themelet e Perandorisë Osmane shënoi një momentum të ri për shqiptarët në fillimin e shekullit 19. Ky ishte paralajmërim për bashkërendimin e veprimeve për të flakur dhe refuzuar politikat asimiluese dhe tendencat e vazhdueshme për zhbërjen e identitetit kombëtar shqiptar.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti.
Kjo ditë le të na frymëzojë që të punojmë bashkë, me dashuri për diturinë, me respekt për historinë dhe me pamje nga ardhmëria. Urime Dita e Alfabetit Shqip, tha kryeministri, Hristijan Mickoski.
“Kjo ditë, 22 Nëntori, na përkujton në Kongresin e Manastirit i mbajtur në vitin 1908, ku me mençuri dhe unitet, intelektualët sollën vendim që do ta trasojë rrugën e gjuhës shqipe drejt ardhmërisë, duke përpiluar alfabet unik dhe të standardizuar. Ky vendim nuk ishte vetëm linguistik, ai ishte akt i krijimit të ardhmërisë dhe një pikë kulturore referimi. Jetojmë në kohë të divesifikimit të fuqishëm të dallimeve, bashkësia shqiptare është pjesë e kësaj fotografie të mozaikut. Obligimi ynë i përbashkët është të vazhdojmë të ndërtojmë shoqëri në të cilën secili qytetar, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo gjuhësore, do të ndjehet i barabartë dhe do të ketë mundësi ta japë kontributin e tij për të mirën e përgjithshme.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka uruar Ditën e Alfabetit. Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe kujtojmë dhe nderojmë këtë moment historik, që shënon përfundimin e Kongresit të Manastirit dhe mishëron identitetin e popullit shqiptar, thekson Gashi.
“Si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, e vlerësoj këtë festë dhe gjuhën shqipe si gurthemel të shoqërisë dhe diversitetit etnik, ndërsa angazhohem për të siguruar që ajo të trajtohet me barazi dhe respekt në çdo nivel të jetës institucionale dhe shoqërore. Ndërkaq, për mua si shqiptar kjo ditë paraqet një thelb të pashkëputur të identitetit tim, që më bën krenar. Të gjithë shqiptarëve kudo në botë, gëzuar 22 Nëntorin!”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit, Gashi.
Edhe presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, ka uruar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
“Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe nuk është vetëm akt i reformës gjuhësore, por edhe simbol i aspiratës për emancipim dhe iluminizëm. Gjuha krijon një hapësirë për mirëkuptim, bashkëpunim dhe bashkim rreth vlerave identitare. Përmes saj, diversiteti bëhet pasuri dhe e ardhmja bëhet një mundësi për rritje individuale dhe kolektive. Gjuha dhe kultura shqiptare janë të ngulitura në indin tonë shoqëror dhe çelin hapësirë për mirëkuptim dhe bashkëjetesë. Respektimi i dallimeve gjuhësore na bën një shoqëri demokratike dhe multikulturore.”, shkruhet mes tjerash në urimin e presidentes, Gordana Siljanovska Davkova.
Urime për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe kanë përcjellë edhe liderët e partive politike në vend.
ERSAN PAJAZITI
