Maqedoni
Muzeu i alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir feston Ditën e Alfabetit me një sërë aktivitetesh
22.11.2024 13:55
Aktivitetet në qytetin e shkronjave shqipe në Manastir kanë filluar prej 14 nëntorit për të kulmuar me manifestimin qendror të 22 nëntorit...

Aktivitetet në qytetin e shkronjave shqipe në Manastir kanë filluar prej 14 nëntorit për të kulmuar me manifestimin qendror të 22 nëntorit, thotë drejtori i Muzeut të Manastirit, Nuer Arsllani. Ai thotë se aktivitetet e organizuara kanë ndikuar në rritjen e numrit të vizitorëve edhe nga Shqipëria dhe Kosova në Muzeun e alfabetit në Manastir për të përjetuar drejtpërsëdrejti ndjenjën e vendimit me peshë historike për të gjithë kombin para 116 vitesh.
“Duke filluar nga 14 nëntori me shoqata të ndryshme, me ekspozita të ndryshme, me promovime librash të ndryshme, kemi pasur edhe një konferencë ndërkombëtare me temë “Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe gjuha shqipe”, u zhvillua këtu në Manastir, ku ishin prezent më shumë se 70 pjesëmarrës. Konferenca ishte dyditore. Kemi pasur edhe orë poetike nga shoqata të ndryshme, si shoqata e shkrimtarëve “ABC poetike”. Më 22 nëntor, sot, kemi koncertin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” me mysafir special, Selami Kolonja dhe Elita Reçi. Do të marrë pjesë edhe aktori, Pajazit Murtishi.”, - deklaroi drejtori i Muzeut të Manastirit, Nuer Arsllani.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14 - 22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe. Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres. Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune, më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
