Maqedoni

Transporti publik në Shkup, Qytetarët: Gjendja u normalizua pas intervenimit të Qeverisë

22.11.2024 14:23

Po normalizohet gjendja me transportin publik në kryeqytet....

Po normalizohet gjendja me transportin publik në kryeqytet. Mëngjesin e së premtes të gjithë autobusët e NQP-së u vënë në funksion, pasi që me vendim të  Qeverisë u siguruan derivate nga rezervat shtetërore. Qytetarët e konfirmojnë se gjendja në krahasim me një ditë më parë është përmirësuar, por shtojnë se përsëri presin gjatë nëpër stacione. Shpresojnë se sa më parë do të normalizohet në tërësi transporti publik në kryeqytet.
 
“Sot ka rregullisht autobusë dhe nuk kam pritur shumë diku rreth 10 minuta.”, - tha një qytetar.
 
“Autobusë për Shuto Orizarë nuk ka. Dhe unë këtu pres një orë.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Ka autobusë, por nuk ka shumë. Ne presim rreth 20 minuta këtu.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Unë 40 minuta e prita 9-shin, ndërsa tani sa erdha këtu. Nuk e di sa do të pres.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
“Sa zbrita prej autobusit, sot ka autobusë, mirë është gjendja, nuk mund të ankohem, mirëpo dje kemi pritur dhe jemi lodhur jashtëzakonisht shumë.”, - tha një qytetare.
 
“Unë vij nga lagjja Lisiçe e Re dhe sot menjëherë erdh autobusi.”, - tha një qytetare tjetër.
 
“Për mrekulli, në mëngjes menjëherë sa arrita në stacion të autobusit, erdhi autobusi, nuk prita fare, e as nuk kishte rrëmujë në autobus.”, - u shpreh një qytetare.
 
Drejtori i NQP-së, Kushovski: Kemi pranuar naftë nga rezervat shtetërore
 
Drejtori i NQP-së, Dragi Kushovski, për TVM2 tha se gjatë mbrëmjes së kaluar dhe mëngjesin e sotëm kanë pranuar sasitë e para të naftës dhe se furnizimi me naftë po zhvillohet në mënyrë graduale. Përshëndet vendimin e Qeverisë për huazimin e naftës nga rezervat shtetërore dhe shpreson se do të vazhdojnë bisedimet në koordinim me BNJVL-në dhe Qytetin e Shkupit për të normalizuar gjendjen me transportin publik në Shkup.
 
“Transporti publik sot është duke u normalizuar. Të gjitha linjat funksionojnë, njësoj si para se të shfaqej problemi me mungesën e derivateve të naftës. Të gjithë autobusët që janë në gjendje të mirë po qarkullojnë në kryeqytet.”, - theksoi drejtori i NQP-së për TVM2, Dragi Kushovski.
 
Vendimi i Qeverisë për të furnizuar Ndërmarrjen e Transportit Publik me naftë është zgjidhje vetëm për shtatë ditët e ardhshme. Në këtë periudhë duhet të nënshkruhet kontrata e re, në mënyrë që NPQ “Shkup” të funksionojë në kushte normale dhe pa pengesa. 
 
REXHEP QAMILI