Maqedoni
ITShKSh, manifestim për Ditën e Alfabetit
22.11.2024 15:21
116 vite më parë nuk u bë vetëm standardizimi i alfabetit të gjuhës shqipe...

116 vite më parë nuk u bë vetëm standardizimi i alfabetit të gjuhës shqipe, por u arrit edhe një kompromis i madh në mes të shtresave të ndryshme të elitës intelektuale shqiptare të asaj kohe u tha në manifestimin e organizuar nga ITShKSh-ja, me rastin e shënimit të Ditës së Alfabetit. Drejtori i këtij instituti, Skender Asani, tha se në Kongresin e Manastirit u miratua një alfabet unik, që për bazë kishte alfabetin e Stambollit me pak ndryshime, por kongresi vendosi të përdorte edhe një alfabet tjetër latin, duke bashkuar dy alfabetet për ata zëra që mungojnë në abc-të latine.
“116 vite pas Kongresit të Manastirit, kur gjuha shqipe është konsoliduar dhe standardizuar brenda kodeve të komunikimit dhe interaktivitetit publik, na mbetet edhe shumë punë për të bërë që kjo gjuhë të gjejë vendin e vet në kushtet kur bota gjithnjë e më tepër po shkon drejt globalizmit dhe digjitalizimit. Ky fakt e shton përgjegjësinë tek përdoruesit e gjuhës shqipe, si në planin privat, ashtu edhe në atë publik e zyrtar, duke krijuar një mekanizëm efikas të mbrojtjes së gjuhës shqipe nga efektet që prodhojnë gjuhët e mëdha, siç është anglishtja dhe gjuhët tjera.”, - deklaroi drejtori i ITShKSH-së, Skender Asani.
Ndërsa drejtori i Arkivave të Shqipërisë deklaroi se edhe pse në atë kohë kishte disa alfabete u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe, me qëllim të ruajtjës së unitetit të identitetit kombëtar.
“Të gjitha këto alfabete mund të ishin përzgjedhja finale për alfabetin e gjuhës shqipe, por u zgjodh të ishin vetëm dy prej tyre, që do të thotë kompromis dhe ishte një kompromis mes njerëzve, të cilët besonin fortë se alfabeti që ata shkruanin, duhet të ishte alfabeti i gjuhës shqipe. Por, arritën që në një moment vendimtar të mblidheshin dhe të bien dakord se nuk ka rëndësi se cili alfabet është, por rëndësi ka që identiteti i shqiptarëve të jetë i unifikuar.”, - theksoi drejtori i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido.
Gjuha duhet të shërbejë për dije, punë, por edhe për marrëveshje, deklaroi ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani.
“Gjuha është rilindje, gjuha është djep, gjuha është përkundje, gjuha është shkollim, përpjekje, punë, gjuha është edhe luftë, gjuha është edhe derdhje gjak. Gjuha në fund është edhe mësim i gjuhëve të huaja për t’u ulur dhe për t’u pajtuar, për të bërë marrëveshje dhe për të bashkëjetuar fundja edhe me ata me të cilët je vrarë apo ke derdhur gjak për të mbrojtur gjuhën dhe gjenezën.”, - u shpreh ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani.
Festën e alfabetit të gjuhës shqipe e uruan edhe ambasadorët e huaj, ndërsa ambasadori i Shqipërisë tha se ruajtja e alfabetit është një mision i shenjtë.
“Është kjo festa e shkronjave shqipe prej 116 vitesh që ndriçon rrugëtimin tonë kulturor. Alfabeti ynë është një nga thesaret më të çmuara që ka dëshmuar fuqinë e fjalës shqipe duke na bashkuar dhe fuqizuar. Ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë, ta ruash dhe ta zhvillosh gjuhën nuk është thjesht një angazhim, por një mision i shenjtë që e kemi ne të gjithë.”, - deklaroi ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani.
Ndërkohë, ambasadori i Çekisë, gjatë urimit për ditën e alfabetin u drejtua në gjuhën shqipe.
“Është kënaqësi shumë e veçantë që të jem këtu me juve, të festoj Ditën e Alfabetit. 22 Nëntori i vitit 1908 është një ditë shumë e rëndësishme në histori. Është hapi i parë i shqiptarëve drejt Evropës dhe hapi i parë i heqjes së Perandorisë Osmane drejt Evropës dhe kjo është shumë e rëndësishme.”, - theksoi ambasadori i Çekisë, Jorslav Luvda.
ITShKSh-ja përveç kremtimit të 116-vjetorit të Kongresit të Manastirit, gjithashtu shënoi edhe 17 vjetorin e themelimit të saj.
GAZMEND KURTISHI
