Maqedoni
BFI: Nuk jemi pyetur për xhaminë “Jeni”
22.11.2024 15:34
Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar pas njoftimeve se në Manastir është bërë hapja solemne e Muzeut...

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar pas njoftimeve se në Manastir është bërë hapja solemne e Muzeut të trashëgimisë krishtere dhe islame, ku është integruar edhe xhamia “Jeni”.
Nga BFI-ja thonë se është e papranueshme se si për këtë vendim nuk janë konsultuar aspak dhe se as është kërkuar pëlqim për transformimin e xhamisë në muze, prandaj nga BFI-ja e kundërshtojnë këtë iniciativë.
“Ne, si përfaqësues të besimtarëve myslimanë e kundërshtojmë fuqishëm këtë iniciativë për transformimin e xhamisë “Jeni” në muze dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi, që dëmton frymën e shenjtë të xhamisë. U bëjmë thirrje organeve kompetente në RMV, që të ushtrojnë autoritetin e tyre konform dispozitave ligjore, si dhe përfaqësive diplomatike dhe institucioneve kulturore vendore dhe ndërkombëtare me ndikimin e tyre të mbrojnë xhaminë “Jeni” në Manastir si objekt fetar islam dhe me vlerë të madhe kulturore.”, thonë mes tjerash nga BFI.
BDI dhe VLEN, shkëmbim akuzash për xhaminë “Jeni”
Ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe nga BDI-ja, nga e cila thonë se është akt i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanshme dhe tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar, që ka karakterizuar këtë Qeveri. Por, nga koalicioni VLEN thonë se ankesat e popullit shqiptar për xhaminë “Jeni” datojnë që prej dy dekadash, prandaj akuzojnë BDI-në se nuk e ka zgjidhur këtë çështje.
“Kjo parti, në palcë me bindje enveriste, pa fije turpi tani ka dalë kinse dëshiron t’i mbrojë vlerat fetare të trashëgimisë kulturore. Paradoks në vetvete!”, theksojnë mes tjerash nga VLEN-i.
