Shqipëri, Dita e Alfabetit, festë zyrtare

22.11.2024 16:18

Për herë të parë, Dita e Alfabetit është festë zyrtare edhe në Shqipëri....

Për herë të parë, Dita e Alfabetit është festë zyrtare edhe në Shqipëri. Në këtë kuadër në Tiranë u prezantua draft-fjalori i gjuhës amtare, fryt i një pune 4-vjeçare e që do të përmbajë rreth 120 mijë fjalë, gati trefishi i fjalorit aktual.

“Nevoja për një fjalor të madh të shqipes kishte lindur me kohë. Shqipja ishte ndër gjuhët e pakta, që i mungonte një fjalor i tillë. Për të hartuar këtë vepër u  ftuan tërë specialistët e fushës në trojet shqiptare e Arbëri, përgjigjja e gatishmëria e tyre, si dhe e Qeverisë dhe kryeministrit për të na besuar e financuar këtë projekt madhor, mundësoi fillimin e punës e kryerjen me kompetencë e në kohën e duhur të kësaj vepre madhore. Për hartimin e saj u ngrit një grup i përbërë nga 55 bashkautorë e 25 hartues, të drejtuar nga një redaksi prej 10 leksikografësh e në ndihmë të saj u krijua një qendër e posaçme, ajo e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, tashmë e kthyer në qendër të përhershme, si një organ administrativ e profesional.”, - deklaroi kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Për hartimin e Fjalorit u ngrit një trupë me 21 punonjës kërkimorë-shkencorë. Hartimi i platformës paraprake iu besua akademikëve, Jani Thomait dhe Valter Memishës.

“Vepra u projektua si një Fjalor me 90.000 fjalë e 10.000 njësi frazeologjike, por nga puna e bërë për të krijuar Korpusin / Database-n a kartotekën e veçantë solli lëndë të bollshme dhe në gjendjen e tanishme kemi këtë pasqyrë statistikore. Lënda leksikografike (fjalori i mirëfilltë) përfshin: 103.000 fjalë si fjalë-titull (mbi 2.5 herë më shumë se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980).”, - theksoi kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Pjesë ishin edhe punonjësit akademikë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Universitetit të Prishtinës, të Tiranës e universitetet e tjera publike në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, si dhe të Universitetit të Palermos e të Kozencës.

“Fjalori i Gjuhës Shqipe është e para vepër madhore e hartuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë pas reformimit të saj. Gjithashtu theksojmë se pranë Akademisë është ngritur Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike, e cila ka ndjekur në vazhdimësi dhe nga afër punën e bërë për hartimin e veprës.”, - u shpreh drejtori i Institutit të Gjuhësisë, Valter Memisha.

Për hartimin e fjalorit është krijuar një bazë të dhënash elektronike, ku janë përfshirë tërë fjalorët e mëparshëm dhe veprat e autorëve nga Buzuku, Fishta e deri tek Kadareja. (Luljeta Ndoka, TVM2)