Kuvendi ndan çmimin “22 Nëntori”, fitues: Afrim Osmani dhe Avzi Mustafa
Me ceremoni solemne sot në Kuvend u bë ndarja çmimit shtetëror, “22 Nëntori”...

Me ceremoni solemne sot në Kuvend u bë ndarja çmimit shtetëror, “22 Nëntori”, që këtë vit i takoi pedagogut universitar Avzi Mustafa dhe profesorit Afrim Osmani, me motivacionin për arritjet në sferën e jetës politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërpersonale dhe mirëkuptimit të ndërsjellë të pjesëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme.
“Çmimi në të ardhmen ende më tepër do të më motivojë që t’i rrehem ende më tepër veprimtarisë sime akademike dhe shkencore, në veçanti në fushën e drejtësisë, si dhe të një fushe që 10 viteve të fundit jam më tepër aktiv, mjedisit jetësor.”, - theksoi profesori universitar, Afrim Osmani.
Profesori Mustafa, në intervistë speciale për TVM2, thekson sfidat që rrezikojnë vazhdimësinë e ekzistencës së gjuhës amtare, si nga emigrimet masive të familjeve, po ashtu edhe nga tendencat e shprehjes në gjuhë të huaj nga fëmijët dhe të rinjtë, si dhe futjen masive të barbarizmave në gjuhën shqipe.
“Bëj apel tek organet gjegjëse dhe te shteti, që të ulen profesionistët dhe të bëjnë një strategji se si ta mbrojnë gjuhën tonë amtare. Në bazë të gjithë asaj që shoh, shkolla mbetet i vetmi institucion që do të mund ta mbrojë, por aty duhet gjithsesi të ndryshohen planprogramet dhe të shtohen orët.”, - u shpreh pedagogu, prof. dr. Avzi Mustafa.
Ide për bashkim kulturor, profesori Mustafa e konsideron dhe projektin e Abetares së unifikuar, e cila u shpërnda tek filloristët nga liderët politikë në fillim të vitit shkollor, akt të cilin e konsideron si një trumbetim, pasi që e njëjta në Maqedoninë e Veriut mbetet në suazat e një literature plotësuese, siç janë revistat shkollore dhe ka përdorim të kufizuar.
“Problemi është në Republikën e Maqedonisë së Veriut që nuk kemi arritur të përdorim një abetare të përbashkët. Deri tani nuk është marrë shteti me shtetin që të bisedojnë për këtë çështje dhe të lidhet një marrëveshje që të tregojnë se germat janë 36 këtu dhe 36 atje dhe nuk ka asgjë kontestuese.”, - deklaroi pedagogu prof. dr. Avzi Mustafa.
Implementimi i Abetares së Unifikuar, sipas profesorit Mustafa, duhet të shoqërohet me reforma pasuese në unifikimin e planprogrameve mësimore dhe organizimit të orëve praktike. (Arlinda Baftiu, TVM2)
