Kurti: Kosova duhet të përgatitet për një hakmarrje të Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi i tij duhet të përgatitet për një hakmarrje nga ana e Serbisë, teksa ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po e mashtron Perëndimin.
Është gazeta zvicerane NNZ, e cila ka cituar deklaratat e kryeministrit kosovar gjatë një diskutimi të organizuar nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme.
Sipas Kurtit, Serbia nuk ka hequr dorë nga projekti i “Serbisë së Madhe”, teksa ai vlerëson se shtetet perëndimore kanë një gjykim të gabuar për Serbinë.
Gazeta NNZ ka cituar Kurtin duke thënë se Serbia është një portë për ndikimin kinez dhe rus në Evropë.
Tutje kjo gazetë shkruan se edhe pse Serbia blen pajisje mbrojtëse kineze dhe ruse, ajo bëri një porosi miliarda dollarësh për avionët luftarakë francezë Rafale në gusht, dhe Vuçiq e ka fituar favorin e Perëndimit duke pasur municion me vlerë mbi 800 milionë euro të dorëzuar në Ukrainë që nga sulmi i Rusisë.
Megjithatë, për Kurtin gjërat janë të qarta: “Vuçiq thjesht po mashtron Perëndimin. Elita që dominon vendin nuk ka hequr dorë kurrë nga projekti i Serbisë së Madhe. Thjesht quhet diçka ndryshe tani, domethënë 'Bota Serbe'”. Kjo do të thotë bashkim i të gjithë serbëve në një vend. Kjo do të nënkuptonte shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës”, ka theksuar kryeministri i Kosovës.
Tutje Kurti ka thënë se duhet dëgjuar me kujdes se çfarë thotë presidenti serb. “Vuçiq ushtron edhe durim strategjik, por synimi i tij mbetet hakmarrja. Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”, ka shtuar Kurti.
Tutje gazeta NNZ vë në pah se në Beograd po spekulojnë se fitorja e Trumpit në zgjedhje do të ofrojë mundësinë që të paktën të rikthehet veriu i Kosovës. “Richard Grenell është një bartës i shpresës. Ish i dërguari special i Trump për Ballkanin Perëndimor mban lidhje të ngushta me Beogradin dhe është kritik i Kurtit. A është Trump rrezik për Kosovën?”, ka shkruar gazeta zvicerane.
Megjithatë, kreu i qeverisë së Kosovës qetëson në mënyrë diplomatike: “Kosova ka punuar mirë me presidentët e të dyja palëve. Ajo u çlirua në vitin 1999 nën demokratin Bill Clinton, derisa George W. Bush, një republikan, ishte president kur Kosova u bë e pavarur në 2008”, citohet Kurti.
Ai ka thënë po ashtu se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk është në agjendë. ”Jo, tani nuk është koha për këtë”.
Gazeta zvicerane vlerëson se në një epokë konfliktesh të mëdha, perspektiva shtet-komb është shumë e ngushtë dhe duke pasur parasysh kërcënimin rus, Kurti më mirë do ta shihte vendin e tij të anëtarësohej në NATO.
