Përdorimi i raketës balistike hipersonike, Peskov: Ishte paralajmërim për perëndimin
Një sulm i ushtrisë ruse në Ukrainë...

Një sulm i ushtrisë ruse në Ukrainë, me një raketë të porsa zhvilluar balistike hipersonike, kishte për qëllim ta paralajmëronte Perëndimin.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, një ditë pasi presidenti Vladimir Putin tha se Moska përdori raketë të re – Oreshnik – në një sulm ndaj një objekti ushtarak të Ukrainës.
"Mesazhi kryesor është se Rusia do të përgjigjet ndaj vendimeve dhe veprimeve të pamatura të vendeve perëndimore që prodhojnë raketa dhe e furnizojnë Ukrainën me to dhe më pas marrin pjesë në sulme ndaj territorit rus.", u tha gazetarëve Peskov.
Ai tha se Rusia nuk ishte e obliguar t’i paralajmëronte Shtetet e Bashkuara për këtë sulm, por i njoftoi ato gjithsesi 30 minuta para lëshimit të raketës.
Megjithatë Putini mbetet i hapur për dialog, tha Peskov.
Nga ana tjetër një zyrtar i lartë i Koresë së Jugut. Rusia e ka furnizuar Korenë e Veriut me raketa kundërajrore në këmbim të marrjes së mijëra trupave koreanoveriore.
Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe vende të tjera thonë se Koreja e Veriut ia ka dërguar më shumë se 10.000 trupa Rusisë, për ta ndihmuar në luftën kundër Ukrainës.
Ndërkohë një sulm rus me dronë në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumi, ka vrarë dy njerëz dhe ka plagosur 12 të tjerë, thanë autoritetet rajonale ukrainase. Dymbëdhjetë ndërtesa banimi, pesë ndërtesa private, një dyqan dhe tri vetura u dëmtuan pasi tre dronë e sulmuan qytetin në orën 05:00 të mëngjesit të së premtes, bëri të ditur policia.
