Botë

Vietnami përkujton 40-vjetorin e përfundimit të luftës

30.04.2015 11:04

Vietnami po përkujton këtë të enjte 40-vjetorin e fundit të luftës, me një paradë ushtarakë nëpër rrugët e kryeqytetit Ho Chi Min...

Më 30 prill 1975, qyteti, që atëherë quhej Saigon dhe ishte kryeqytet i Vietnamit të Jugut, u pushtua nga trupat komuniste të Veriut. 
 
Fitorja e Veriut i dha fund luftës, në të cilën humbën jetën të paktën 3 milionë vietnamezë dhe rreth 58 mijë ushtarë amerikanë. Procesi i riunifikimit të vendit u përmbyll një vit më vonë. 
 
Regjimente ushtarësh të veshur me uniformë dhe me armë në duar kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit. 
 
Nënkoloneli Nguyen Quoc Khanh i është drejtuar turmës duke thënë: “Fitorja e 30 prillit përbën një pikë të artë kthese për popullin vietnamez”.
 
Plot 40 vjet më parë, tanket e Veriut rrafshuan portat e Pallatit Presidencial, që ishte dhe sulmi i fundit ndaj Jugut të mbështetur nga amerikanët. 
 
Fitorja në fjalë bëri që dy krahët të bashkoheshin në një vend të vetëm pas dekadash të tëra luftë. 
 
Lufta e Vietnamit shkaktoi përçarje edhe në vetë Shtetet e Bashkuara dhe ndërkohë ishte lufta më gjerësisht e mbuluar nga mediat perëndimore. 
 
Gjithashtu, ajo ishte e para ku një superfuqi globale moderne doli e humbur. 
 
1954 - Marrëveshja e Gjenevës shënoi ndarjen e Vietnamit në dy pjesë dhe komunistët në Veri ndihmuan guerrilasit e Jugut që të luftonin kundër trupave jugore të mbështetura nga amerikanët. 
 
1964 - Shtetet e Bashkuara bombardojnë Vietnamin e Veriut
 
1965 - Trupat e para luftarake amerikane mbërrijnë në Vietnam
 
1973 - Në Paris nënshkruhet marrëveshja e paqes për t’i thënë fund luftës dhe për të rivendosur paqen në vietnam. Pakti i dha fund përfshirjes direkte të Shteteve të Bashkuara, por luftimet mes Veriut dhe Jugut vazhduan. 
 
30 prill 1975 - Trupat e Vietnamit të Veriut hyjnë në Saigon dhe marrin nën kontroll Vietnamin e Jugut, për të bashkuar më pas vendin në fund të luftës.