Botë
Sokratis Famellos zgjidhet lideri i ri i Syriza-s/ Do përballet me sfidën e unitetit dhe rimëkëmbjes
25.11.2024 12:22
Në një prej momenteve më të vështira të saj, partia opozitare «Aleanca e së Majtës Radikale», «Syriza»...

Në një prej momenteve më të vështira të saj, partia opozitare «Aleanca e së Majtës Radikale», «Syriza» , ka zhvilluar këtë të dielë zgjedhjet për liderin e ri të saj.
Kandidatë për kreun e partisë ishin eurodeputeti Nikolas Farantouris, deputetët Pavlos Polakis dhe Sokratis Famellos si dhe aktori i njohur Apostolos Gletsos.
Pas numërimit të më shumë se 70.000 votave deputeti Sokratis Famellos ka fituar me 50,5% që në raundin e parë dhe do të drejtojë partinë “Syriza” me synim të parë unitetin e saj, pas përçarjes së tretë të radhës brenda 18 muajve.
Lideri i ri i “Syriza”-s Sokratis Famellos ,me diplomë inxhineri kimike dhe Master në Planifikimin Mjedisor është deputet në parlament prej vitit 2015 dhe në qeverinë Tsipras 2015-2019, u emërua zëvendësministër i Mjedisit dhe Energjisë.
Kujtojmë pas dorëheqjes së Aleksis Tsipras pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të verës së 2023-it , në krye të «Syriza»-s u zgjodh homogjeni greko-amerikan Stefanos Kasselakis dhe një grupim i madh prej 11 deputetësh u larguan dhe krijuan forcën e re politike e «Majta e Re».
Por 9 muaj më pas edhe vetë Kasselakis duke mos gjetur gjuhën e përbashkët me shumë prej zyrtarëve të lartë të partisë të cilët sollën edhe mocion votëbesimi ndaj tij, u largua dhe këtë fund javë krijoi partinë e tij të re «Lëvizja për Demokraci».
Këto përçarje kaq të thella dhe largimi i deputetëve sollën edhe humbjen e pozicionit të “Syriza”-s si partia më e madhe opozitare në parlament duke i lënë vendin socialistëve të PASOK-ut.
Analistët ende nuk janë të bindur në se “Syriza” do të rigjejë veten dhe do të bëhet përsëri një parti që do të kërkojë përsëri qeverisjen.
Nga ana tjetër, kriza politike dhe divergjencat nuk mungojnë edhe tek partitë e tjera greke, madje edhe tek partia në fuqi “Demokracia e Re” ,ku lideri dhe kreu i qeverisë Kyriakos Mitsotakis vetëm para një jave përjashtoi nga grupi parlamentar ish kryeministrin dhe një nga zërat më kritikë për politikën e Jashtme greke dhe jo vetëm, Antonis Samaras.
