Rikthimi i Gruevskit, VLEN-i kërkon përgjigje nga Ahmeti
Koalicioni VLEN kërkon përgjigje nga BDI-ja...

Koalicioni VLEN kërkon përgjigje nga BDI-ja dhe lideri i tyre, Ahmeti, që të qartësojë pretendimet e tyre për skenarët e kurdisura për kthimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.
Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, i cili ripërsëriti takimin në Villën “Vodno” midis funksionarëve të BDI-së, LSDM-së me ish-presidentin Pendarovski, theksoi se ish-ministri Osmani ka takuar Gruevskin në Budapest. Plani i dështuar, sipas VLEN-it kishte për qëllim zgjatjen e të qenit në pushtet.
“Kjo parti që thirret si parti shqiptare, në heshtje ka punuar për rikthimin e tmerrit të shqiptarëve, të Gruevskit vetëm për ta zgjatur pushtetin e tyre. Plani që iu dështoi po tentojnë ta mbulojnë me heshtje. Por, ne do të flasim derisa secili qytetarë kudo që jeton, ta kuptojë të vërtetën e hidhur që fshihet prapa emblemës së kësaj partie. Nuk them që ish-presidenti ka pranuar, por ka qenë një prej opsioneve që Gruevski të falet, të amnistohet dhe të kthehet në Shkup si fitimtarë.”, - deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.
Zbardhja e krimit, Taravari: Po hetohen funksionarë të BDI-së
Madje ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka theksuar se hetuesia ka nisur procedura për zbardhjen e krimit të ish-pushtetit. Taravari pa zbuluar emra thotë se Prokuroria ka filluar të thërrasë funksionarë të BDI-së për hetime. Emrat sipas Taravarit do të dihen së shpejti.
“Unë me sa kam informata, procedurat po ecin. Disa funksionarë të BDI-së veç më po lëvizin nëpër zyrat e hetuesisë dhe Prokurorisë. Këtë e bëjnë organet kompetente shtetërore. Unë nuk kam informata të sakta, por që e di, se lëvizin nëpër ato zyra.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
BDI: Pushteti dëshmon kapjen e shtetit
Nga BDI-ja me reagim duke i cilësuar deklaratat e tilla si përndjekëse dhe kërcënuese. Ata kërkojnë veting për të gjithë.
“Këto kërcënime me konstruksione dhe përndjekje politike, si dhe presione ndaj hetuesisë dhe Prokurorisë nuk frikësojnë askënd, por shfaqin tendencën skandaloze dhe të papranueshme të ushtrimit të shtetit të kapur nga ana e Qeverisë. BDI-ja mbështet sundim joselektiv të ligjit dhe kërkon veting të monitoruar ndërkombëtarisht për të gjithë bartësit e funksioneve politike.”, - thuhet në kumtesën e BDI-së.
Pushteti në vazhdimësi është shprehur për llogaridhënie të ish-funksionarëve të BDI-së, por nga partia e Ahmetit thonë se prononcimet e tilla janë me rezultat zero dhe fokusi duhet të vihet në kërkimin e përgjegjësisë për keqpërdorimet aktuale masive. (Meral Ismaili, TVM2)
