Gashi në Kosovë, takime me Konjufcën, Kurtin dhe liderët e partive

25.11.2024 16:01

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi...

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Kosovës, me ceremoni zyrtare u prit nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari Gashi, me këtë rast theksoi se kjo vizitë është konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera dhe konstruktive bilaterale ndërmjet dy vendeve, në të gjitha nivelet.

“Është kënaqësi që sot jam në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bashkë me një delegacion nga Kuvendi i Maqedonisë.”, - theksoi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Gashi vlerësoi se bashkëpunimi parlamentar bilateral ka dinamikë intensive me tendencë për të vazhduar trendin edhe në të ardhmen.

Gashi dhe Konjufca diskutuan për projektet e përbashkëta, progresin dhe sfidat me të cilat përballen dy vendet në rrugën për integrim në BE, ku Gashi ka theksuar mbështetjen e palëkundur për Kosovën në procesin e saj të integrimit në organizatat ndërkombëtare. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe NATO-ja kanë vlerësuar bashkërisht Gashi dhe Konjufca.

Ndërsa ky i fundit shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme nga Republika e Maqedonisë së Veriut në të gjitha nivelet që nga pavarësia.

“Ne jemi shumë të gëzuar që përgjatë të gjitha këtyre viteve, sidomos këto 10 deri në 15 vitet e fundit, kemi arritur të ndërtojmë një marrëdhënie të shkëlqyer me Maqedoninë e Veriut. Konsiderojmë RMV-në si një nga vendet më partnere, më mike të Republikës së Kosovës, e cila në vazhdim e ka mbështetur Republikën e Kosovës.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës ndajnë të njëjtat sfida: përafrimi i standardeve të BE-së, zbatimi i reformave, përballja me sfidat dhe kompromisi me fqinjët.”, ka vlerësuar Konjufca.

Gjatë vizitës në Prishtinë, kryeparlamentari Gashi, është pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, ndërsa ka takuar edhe liderët e partive politike. Vizita e kryeparlamenarit Gashi në Prishtinë vjen një javë pas mbledhjes së përbashkët së të dy Qeverive, me ç’rast u nënshkruan memorandumet për thellim të bashkëpunimit në sferën e arsimit dhe energjetikës, si dhe protokolli për kontroll të përbashkët të dy policive në pikat kufitare Bllacë dhe Jazhincë. (Gyltene Sinani, TVM2)