Maqedoni

Ibraimi dhe Arifi: Për arsye politike, Limani pengon hapjen çerdheve

25.11.2024 16:07

Kryetarët e komunës së Haraçinës dhe Likovës akuzojnë Limanin se për arsye politike pengon hapjen çerdheve....

Kryetarët e komunës së Haraçinës dhe Likovës, Ridvan Ibraimi dhe Erkan Arifi, akuzojnë Ministrin për Politikë Sociale, Fatmir Limani, se për arsye politike pengon hapjen çerdheve që gravitojnë në këto dy komuna. Sipas Ridvan Ibraimit, edhe pse pëlqimet për punësim javë më parë janë dhënë nga Ministria e Financave, Limani nuk ka dëshirë që t’i  procesuojë të njëjtat. 
 
“Fatmir Limani ka vendosur pa asnjë shpjegim apo arsyetim t’i bllokojë pëlqimet në sirtarët e tij, duke mos i lëshuar në procesim dhe njëherit bllokon  punësimet të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e çerdheve. Për ta konstatuar se ministri jolegjitim, Fatmir Limani, ka vepruar në bazë të inateve dhe frustrimeve politike, në të njëjtën procedurë, identike, kanë qenë edhe çerdhet në komunat e Çairit dhe Tetovës, për të cilat më janë lëshuar pëlqimet. Nuk ka asnjë dallim në situatën faktike, ASNJË! Ministri jolegjitim, Fatmir Limani, mban përgjegjësinë e plotë, që sot mbi 230 fëmijë presin për t’u sistemuar në çerdhe për fajin e tij.”, - deklaroi kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi.
 
Mickoski: Problem i trashëguar, por është tejkaluar
 
Për kryeministrin Mickoski, çështja me çerdhet, duke përfshirë edhe atë në komunën e Haraçinës dhe Likovës, janë probleme të trashëguara, por të njëjtat janë tejkaluara. Ai sqaron se problem ka qenë dhënia e provimit, pasi qindra përkëdhelës dhe edukatore nuk kanë mundur të pajisen me licenca për t’u punësuar. 
 
“Ministria e Financave ka aprovuar punësimet për komunën e Haraçinës dhe në komunën e Likovës, por më e rëndësishmja është se është tejkaluar problemi i dhënies së provimit. Ishte problem që qindra edukatorë nuk mundën të merrnin një licencë të përshtatshme për t'u punësuar. Me një vendim të Qeverisë zgjatëm mënyrën e vjetër të dhënies së provimeve deri në fund të vitit 2025. Me këtë, ky problem u tejkalua.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Gati është edhe çerdhja “Bambi” në Çair, por ende nuk ka nisur me punë. Situatë të ngjashme ka edhe në çerdhen “Rilindja” të Tetovës, ku u paralajmëruan rreth 30 punësime, të cilat nuk janë realizuar akoma. Ndërsa pritet që së shpejti në funksion të futen edhe çerdhet në Prilep dhe Koçan. 
 
SANIJE DURAKU